Një atentat me armë zjarri ndaj Gentian Bejtjas ka ndodhur në zonën e Niklës në Fushë-Krujë. Së bashku me të ka mbetur i plagosur edhe një shoku i tij, Klodjan Stafuka.

Dy të plagosurit janë dërguar në Spitalin Ushtarak në kryeqytet për të marrë ndihmë mjekësore. Mësohet se Bejtja ka plagë plumbi në krah dhe ndodhet jashtë rrezikut.

Dyshohet që shënjestër e atentatit ka qenë Gentian Bejtja, person i njohur për policinë. Ai ka qenë duke udhëtuar me makinën tip “Alfa Romeo” kur u qëllua nga një automjet tjetër në lëvizje.

Për shkak të humbjes së kontrollit të mjetit, pasagjeri që ndodhej me të, Klodjan Stafuka, mbeti i plagosur si pasojë e aksidentit.

41-vjeçari Gentian Bejtja ka rënë pre e një atentati edhe në vitin 2016, kur në automjetin e tij shpërtheu një sasi tritoli. Ai mbeti i plagosur nga atentati me tritol në atë kohë.

41-vjeçari rezulton person me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër personit dhe krimeve kundër pronës.

Gentian Bejtja është akuzuar më parë si i dyshuar edhe për vjedhjen e makinës tip BMW, që u përdor në atentatin ndaj kryekomisarit Dritan Lamaj në vitin 2013.

Ai njihet edhe si mik i Enver Stafukës, edhe ky i fundit person i njohur nga autoritetet policore por që prej vitit 2015 rezulton të jetë i zhdukur. Njësoj si Gentian Bejtja, edhe Enver Stafuka ishte dyshuar 9 vite më parë për vjedhjen e makinës BMW.

“Më datë 09.01.2022, rreth orës 18:00, në Spitalin Ushtarak, janë paraqitur për ndihmë mjekësore, shtetasit: G. B., rreth 41 vjeç, i cili në rrethana ende të paqarta dyshohet se është plagosur me armë zjarri në krah, gjatë kohës që po drejtonte automjetin  dhe ndodhet  jashtë rrezikut për jetën. K. S., rreth 31 vjeç, i cili është lënduar në aksident rrugor në Nikël, afër një karburanti, pasi mjeti që drejtonte shtetasi G. B., ku shtetasi K. S. ishte pasagjer, ka dalë nga rruga. Menjëherë shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendngjarje dhe vijon puna për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit”, njofton policia.