Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njoftoi se në shtator do jetë pjesëmarrës në një takim tjetër në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Sipas televizionit serb B92, Vuçiç tha se Serbia do të kërkojë nga Kosova zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, e cila mbetet peng i miratimit në Kuvendin e Kosovës, pasi Gjykata Kushtetuese më 2015 konstatoi se bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës në 23 pika të saj.

“Pala serbe do të kërkojë përmbushjen e marrëveshjes nga viti 2013 për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Ne nuk do të largohemi nga dialogu”, tha Vuçiç.

Presidenti serb theksoi se Kosova ka mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar për të marrë njohje nga Serbia, si “zgjidhje të vetme” në dialogun mes dy vendeve.

“Situata nuk është e lehtë për ne. Të gjithë thonë se zgjidhja e vetme është njohja e Kosovës dhe se nuk ka zgjidhje tjetër. Ajo që i kërkojmë qytetarëve është që të kuptojnë pozitën e vështirë në të cilën jemi”, shtoi ai.

Vuçiç foli edhe për nismën për Ligjin për Mbrojtjen e Vlerave të UÇK-së, duke quajtur “ngacmim shtesë për popullatën serbe” në Kosovë.