Familjarët e Behar Sofisë që u ekzekutua mëngjesin e së enjtes pranë piramidës në kryeqytet, mohojnë që të kenë konflikte me njeri.

Gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit ata kanë thënë gjithashtu se nuk kanë marrë kërcënime kohët e fundit. Burime për Klan News thonë se familjarët kanë treguar se 66 vjeçari kishte dalë për të pirë kafe por nuk u kishte thënë se me kë do të takohej.

Deri tani janë shoqëruar disa familjarë dhe të afërm të viktimës ndërsa ende policia nuk ka ndonjë të dyshuar për ngjarjen. Ndërkohë është bërë edhe kqyrja e telefonit të Behar alias Fatmir Sofia, por nuk janë gjetur biseda me persona të dyshimtë përveç familjarëve të tij.

Megjithatë dyshohet se Sofia ka qenë nën vëzhgim kohët e fundit dhe ekzekutori ka qenë në dijeni të lëvizjeve të tij. Besohet se ka qenë vetëm një person që ka qëlluar në drejtim të 66 vjeçarit me armën me silenciator.

Grupi hetimor i ka përqëndruar hetimet tek e kaluara e errët e 66 vjeçarit. Ai është arrestuar në vitin 1998 për trafik droge në Turqi bashkë me persona të tjerë shqiptarë dhe turq.