Greqia do të vendosë për herë të parë një prezencë të përhershme ushtarake në ishullin e Othonoit, ishulli më perëndimor i saj dhe që është afër ujërave territoriale shqiptare në Detin Jon.

Lajmi njoftohet nga gazeta greke “Ta Nea”. Duke cituar burime të saj, kjo gazetë thotë se vendosja e pranisë së përhershme ushtarake në këtë zonë, edhe pse vendi nuk ndjehet i kërcënuar ashtu si në Lindje nga Turqia, është pjesë e strategjisë së re të Ministrisë së Mbrojtjes.

“Ta Nea” thotë se puna për të vendosur postën ushtarake në këtë ishull ka nisur edhe si kërkesë e vazhdueshme e 400 banorëve të tij.

Zyrtarisht nuk ka asnjë informacion nga ana e Qeverisë greke, por kjo lëvizje e Athinës do të mbërrinte pas vendimit për t’u zgjeruar me 12 milje në Detin Jon dhe për të çuar çështjen e ndarjes së Zonës Ekskluzive Ekonomike me Shqipërinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.

Dërgimi i kësaj çështjeje në këtë gjykatë u arrit me marrëveshje mes dy vendeve, që u komunikua në Tiranë nga Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, gjatë vizitës që ky i fundit bëri në Shqipëri.

Pas vizitës në Tiranë, Dendias tha në një intervistë për mediat greke se marrëveshja me Shqipërinë për t’iu drejtuar Hagës kishte dakordësinë e të gjithë klasës politike shqiptare.

“Më lejoni të theksoj se marrëveshja e arritur në Tiranë dy javë më parë ka mbështetjen e plotë të forcave politike në Shqipëri, si të qeverisë ashtu edhe të opozitës . Më lejoni të theksoj gjithashtu se apelimi bashkë me marrëveshjen kornizë do të bëhet pas zgjerimit me 12 milje detare të ujërave territoriale të vendit tonë në Jon. E gjithë kjo bëhet në marrëveshje të plotë me palën shqiptare, e cila meriton njohje për respektimin e ligjit ndërkombëtar”, deklaronte ai.

Ministri i Jashtëm grek ka theksuar se Athina, përveç zgjerimit me 12 milje në Jon, për të cilin është marrë tashmë vendimi, po procedon edhe për zgjerimin me 12 milje në zonën detare në jug të Kretës, si një e drejtë ekskluzive e një vendi bregdetar që e ushtron atë, kur e gjykon të arsyeshme dhe në bazë edhe të planeve të tij strategjike.

Fill pas marrëveshjes, edhe Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis deklaroi se Greqia do të zgjerohej me 12 milje dhe më pas do ta dërgonte përplasjen me Shqipërinë për ujërat e Jonit në Gjykatën e Hagës.