Që tek shqiptarët nuk ka sunduar fryma fetare në atë masë sa që të ndikonte në gjithçka, siç ndodhi që prej Mesjetës në Evropë, e provon edhe ruajtja e kremtimit të Ditës së Verës në një datë të pandryshueshme. Qysh prej kohësh që nuk mbahen mend Dita e Verës është festuar në mbarë trojet tona gjithnjë më 14 mars. Këtë festë e trashëgojmë dhe e ruajmë gjer në ditët tona, ashtu pagane, të virgjër, vetëm ne shqiptarët. Me gjithë mungesën e sundimit të frymës fetare që vumë re ndër shqiptarë në krahasim me popuj të tjerë, ndjenjat e humanizmit dhe shumë mësime e mesazhe humane që përcillen nëpërmjet saj, nuk kanë munguar. Ato janë transmetuar ndjeshëm nëpërmjet kremtimeve pagane, siç është edhe ai i kultit të Ditës së Verës çdo 14 Mars.  

Mendoj se këtu është vendi të sqarojmë edhe një herë kuptimin e fjalës PAGAN, që ndonjëherë merret gabimisht si sinonim i fjalës ATEIZËM.

 PAGANizmi lidhet me kohët e lashta kur njerëzit nuk kishin kaluar ende në njërën nga fetë monoteiste, por ishin ithtarë të shumë hyjnive. Kultet e tyre ishin në natyrë, në pyje, male, ujëvara etj. Prandaj, nëse do të kërkonim një sinonim me një fjalë të vetme për të, më e afërt do të mund të ishte fjala RURAL…  

Dita e Verës ishte dita e parë e fillimit të vitit sipas kalendarit të vjetër dhe, si e tillë, kjo ditë njihej edhe në vende të tjera shumë shekuj para se të lindte krishterimi. Ajo kremtohej me 1 mars, sipas kalendarit Julian dhe, më 14 mars, sipas kalendarit Gregorian. Duke përfillur marsin si muajin e parë të vitit, sot, ashtu si në shqip, edhe në shumicën e gjuhëve indoevropiane, për muajt e tjerë pas gushtit (nga August), sipas kësaj renditje kemi emërtimet shtator, tetor, nëntor e dhjetor. Arkeologjia, me statujën e hyjneshës së pyjeve, gjuetisë dhe gjithë natyrës – Artemisit, na dëshmon se edhe në trojet e Greqisë së sotme dhe Azinë e Vogël është njohur dhe kremtuar ky kult i ripërtëritjes së natyrës, i fillim vitit. Tek romakët dhe më poshtë, gjer në brigjet e Afrikës së Veriut, kjo statujë që paraqet po ashtu si Artemisi i grekëve të lashtë, një femër gjysmë të zhveshur me harkun dhe shigjetën gati në të shënjuar gjahun, dëshmohet e emërtuar në latinisht “Djana Candaviensis”. Në shqip grupi i bashkëtingëlloreve “dj” është reflektuar në “z” dhe “Zana” jonë, as më pak e as më shumë, është “Djana” e latinëve. Gjithashtu “Candaviensis” e gjen tek ajo që ne sot i thërrasim “Çermenikë”. Mbi të gjitha, Dita e Verës është dita e adhurimit për natyrën, riciklimit dhe gjallimit të saj pranveror. Prandaj tek ne, që nga Mitrovica, Dibra, Elbasani, Skrapari, Lunxhëria dhe kudo ku banojnë shqiptarë, tregojnë se në mbrëmjen e 13 marsit ishte zakon që një plis dheu, ashtu bashkë me rrënjët dhe barin e njomë, merrej e vendosej lart në strehën e derës së shtëpisë, që, kur të zbardhej mëngjesi i datës 14 mars, ta gjente të respektuar gjer në adhurim kultin e natyrës. Ishte riti që ngjallte shpresën për mbarësinë e stinës që trokiste.  

 Hyjni Ceka, studiuesi elbasanas që është marrë gjerësisht me festimet e Ditës së Verës në qytetin e Elbasanit dhe ka hulumtuar origjinën e lashtë të saj, në librin e tij “Dita e Verës” – (“Onufri” 2001), shkruan se kjo festë i kushtohej Dianës së Kandavëve, e cila, sipas tij, “tempullin e vet, gjithë motit, e ka pasur në rrethinat e Elbasanit, sepse, qysh hejrit, në këto anë ndodhej ajo faltore e dëgjuar e Zanës së Çermenikës (Djana Kandaviensis). Dhe të gjithë e dinë se Perëndesha Djanë mbahej në kohë të lashta, si hyjneshë e gjuetisë… e pyjeve dhe e gjithë natyrës…”. Ky konkluzion, shkruan Hyjni Ceka, përmbledh mendimet e arkeologut të mirënjohur shqiptar, Hasan Ceka (1900-1998), i cila ka qenë një nga themeluesit dhe dekan i arkeologjisë shqiptare. “Shkencëtarët tanë, shkruan në studimin e tij Hyjni Ceka, shpjegojnë se te Mansi i sotëm kemi Manthion antik, stacionin e famshëm të Egnatias, që priste e përcillte udhëtarë e pelegrinë që vinin në Skampin për t’iu falur Dianës së Kandavëve, si vend ku gjendej edhe tempulli i saj. Ai Rrapi i Mansit, me kroin e pozicionin karakteristik, ma do mendja të ketë shërbyer nëpër vite për të mbledhur fiset e arbërve rreth Hyjneshës Dianë (apo Zanë) të Kandavëve, sikur u kanë pas thënë së lashti çermenikasve”. Edhe studiues të tjerë, të cilët janë marrë me besimet e ilirëve dhe me figurat e tyre mitologjike, kanë shkruar se figura e Zanës së Çermenikës është pasuese e hyjneshës Diana të kandavëve (Diana candaviensis). “Dita e Verës e Elbasanit, vijon në shkrimin e tij Hyjni Ceka, çuditërisht sjell në ditë të sotme traditën e saj të Kandavës Ilire. Ngjyra panairike, pelegrinazhi dhe Rrapi i Mansit, trevë ku zhvillohej kjo festë, tregojnë më së miri për një ceremonial të hershëm, për një religjion, që si kult të vetën pat Zanën e Kandavëve: Diana Candaviensis”. Kandavët, të cilët kishin Dianën si perëndeshën e tyre, ishin banorët e lashtë të krahinës ilire të Kandavisë, në territorin e së cilës ndodhet sot krahina e Çermenikës në rrethin e Librazhdit.  

 Shprehja që dëgjohet deri në ditët tona tek veriorët shqiptarë: “Të shitoftë Zana!” s’është tjetër, veçse mallkimi: “Të shigjetoftë Zana!”. Zana e Çermenikës. Pjesa e malësisë së Elbasanit, ku bën pjesë edhe Çermenika me pyjet që mendohet se kishte një nga tempujt e saj Zana, apo Gurakuqi, Guraziu, Gurabardhi, Shmili, (Shën Mëhilli), Valshi etj, flasin për toponime të pastra arbërore. “Mali i Vashës” (varianti më shqip për: “Mali i Vajzës së virgjër”) që lartësohet buzë Shkumbinit, por nga ana tjetër në të majtë të rrjedhjes së tij, bashkë me Gjinarin, Valshin, gjithë Shpatin, Sopotin më tej, flasin për një histori autoktonësh qëndrestarë, që i kanë bërë ballë si rrallëkush të gjitha dyndjeve barbare dhe influencave fetare në shekuj. Banorët e këtyre vendeve zbritën gjatë 100-200 vjetëve të fundit dhe populluan Elbasanin, aty rreth e rreth Kalasë fushore. Gjithashtu, si askund në Botë, të zbriturit nga malet përreth, gjetën aty (në aq pak hapësirë sa rrethonin muret e Kalasë) një mori shkencëtarësh e atdhetarësh të kalibrit të Teodor Haxhifilipit (Dhaskol Todrit), Tush Pinës. Aty jetonte Kostandin Kristoforidhi, Galileu i gjuhësisë shqipe. Brenda asaj kalaje, lindën Xhuvanët e Popat, Theoharët dhe Paparistot.   

Po aty në Kala lindën Shuteriqët, Santot dhe Nosët. Aty lindi autori i prozës së parë psikologjike shqiptare Filip Papajani dhe Kostaq Cipoja, gjeniu që i parapriu shqipes standarde. Është e pamundur t’i përmendësh të gjithë dhe të mos gabosh duke harruar ndonjë nga eruditët që kanë lindur aty në lagjen “Kala”, pëllëmbë e tempull diturie. Aty ngjit e ngjitur me kalajsit e krishteruar ndërkohë, që nën influencën e kishës ortodokse të Shën Mërisë kishin filluar të festonin Krishtlindjet më 25 dhjetor dhe Vitin e Ri më 1 janar, erdhën dhe u vendosën më pas këta malësorë trima dhe të urtë të rrethinave të Elbasanit. Këta sollën me vete edhe atë që e kishin ruajtur me fanatizëm përgjatë shekujve, Ditën e Verës. Kultin e shenjtërisë së Zanës, Perëndisë së Natyrës Arbërore, ata e sollën krejt të pastër aty ku u ngulën në fushat e luginës së Shkumbinit që kish vite që, pas rindërtimit më të fundit të kalasë prej Sulltan Mehmetit II, nga Skampin, thërritej me emrin më të ri Elbasan. Shi për këtë, Elbasani mbeti kryeqendra e kësaj kremteje të madhe mbarë kombëtare dhe krejt autentike. Bashkë me 14 Marsin, të zbriturit nga malësitë përreth qytetit do t’u shtonin banorëve që gjetën në Kala edhe urtësinë dhe atdhedashurinë e heshtur.   

Këta banorë të rinj, që shpesh në vend të ofiqeve ose profesioneve, mbartnin si mbiemra emrat e katundeve nga vinin, patën intuitën që dëshirën e zjarrtë për dije që flinte në shpirtrat e tyre, t’ua besonin kalajsve më të parë e më të ditur. Nuk kanë të numëruar njerëzit e shquar që lindën në odat e elbasanasve që u ngritën rreth Kalasë. Kë të përmendësh më parë? Biçakçinjtë që lindën Aqif Pashën apo Xhanët që lindën Hasanin dhe Hysenin, vëllezërit që sollën abetaret e para në Elbasan dhe u torturuan për vdekje nga turqit? Bahollët apo Çeliramat? Hysen Cekën, mësuesin shëtitës, që me këmbë cep më cep të Shqipërisë përçoi arsimin shqip, apo të birtë e tij, përkthyesin e Schopenhaeur-it, Salimin apo Hasanin, themeluesin e arkeologjisë sonë? Et’hem Haxhiademin apo akademikët Mahir Domi e Qemal Haxhihasani? Isuf Myzyrin apo Mustafa Bodinin? Qemal Stafën apo Qamil Guranjakun? Kë të përmendësh më parë?  

Nga këta malësorë dhe saktësisht nga ata të Gurakuqit që janë vendosur në Elbasan në fund të shekullit XIX është edhe origjina ime nga linja e nënës. Prandaj, kur shkruaj për tema që kanë lidhje me vendlindjen time Elbasanin apo elbasanasit, mirë apo keq, ia lejoj vetes të shprehem shpenguar, pa pasur merakun se keqkuptohem duke u krenuar. Elbasani im e meriton. Për shumë nga dyert fisnike elbasanase nuk gjeta mundësinë t’i përmend në këto radhë, por, kur them Elbasani, patjetër që janë të gjithë aty…  

Me ruajtjen gjer më sot të kremtimit të kësaj feste të lashtë pagane, elbasanasit e mi, i dhanë kombit tonë Certifikatën e Autoktonisë Arbërore. Veç kësaj, Dita e Verës përcjell edhe mesazhe të tjera. Bashkë me kultin e Adhurimit të Natyrës, 14 Marsi shënon edhe ditën e Adhurimit e Respektit të Femrës. Faik Konica në gazetën e tij “ALBANIA”, kur flet për “Ditën e Verës”, shpjegon dhe është entuziast për emancipimin e gruas shqiptare që reflektonte kremtimi i kësaj feste. Studiuesit e kësaj teme, vërejnë se kulti i Zanës i shërbeu dhe rrezatoi emancipim femrës shqiptare dhe në kohërat më të errëta të obskurantizmit që kanë kaluar shqiptarët. Me anë të këtij kulti, femra shqiptare, duke mbrojtur lirinë dhe respektin e saj ka sfiduar çdo besëtytni anadollake.  Sidomos në Elbasan. Sidomos në atë ditë. Sidomos më 14 Mars.  

Këtyre radhëve, shumë prej të cilave kam pasur rast t’i shpreh edhe më parë, dua t’u shtoj edhe mesazhin që më ndërmendet se përcillte Dita e Verës kur isha fëmijë. Në vitet ’60 – ’70 në Elbasan, ekonomia dhe tregu nuk ka pasur bollëkun e sotëm. Gatimet tradicionale të Ditës së Verës, si ballokumet, gjeli ose pula e Detit, frutat etj., ishin më të pakta, prandaj gjithçka ndahej në HISE. Gjithkush kishte racionin e tij të ndarë me një drejtësi që shkonte gjer në shenjtëri. Hisja e një fëmije qëllonte të mos kishte më shumë se një ballokume, 3-4 kokrra arra, 4-5 fiq të thatë, një mollë, një vezë të zier… Kaq. Hisja, pothuajse gjithnjë qëllonte të ishte e varfër, madje, e parë me syrin e sotëm, shumë e varfër, por kurrë e pa drejtë. Në të mund të kishte shumë mungesa, por vetëm simbolika e drejtësisë, nuk mungonte asnjëherë në të. Fjala “hise” (pjesë që i përket me të drejtë dikujt) ka për rrënjë fjalën e vjetër “hi” që shpjegohet me “e perëndishme” (kishë), prej nga kanë ardhur dhe fjalët “i hirshëm”, “hirësi” apo shprehja “me-hir apo pa-hir” = (me kishë apo pa kishë). Duke respektuar gjer në adhurim kultin e HISES së 14 Marsit, elbasanasit dëshmonin se, jo vetëm nuk harronin për asnjë çast aksiomën se padrejtësia vret më shumë se varfëria, por gjithmonë ia kishin dalë ta mundnin atë… Përveç solidaritetit që shprehej duke vizituar e ndihmuar më të moshuarit, të varfrit, të vetmuarit dhe njerëzit më në nevojë, elbasanasit e mi paganë, me HISEN e Ditës së Verës ia dilnin, që bashkë me shpresën për ripërtëritjen e natyrës, të përcillnin plot entuziazëm edhe mesazhin e madh të triumfit të drejtësisë dhe fitores së saj mbi varfërinë…  

Kriza globale energjetike, ekonomike që ka mbërthyer këto ditë Shqipërinë, na fton t’i kthejmë sytë e të lexojmë mirë mesazhet e solidaritetit të Ditës së Verës.  HISJA, ky mesazh i lashtë drejtësie, thërret këtë 14 Mars më shumë se kurrë.

Le t’i kujtojmë ato…!    

Mirënjohje përjetë Elbasanit! Gëzuar për shumë mote Ditën e bekuar të Verës!  

Ilir Mborja