“Do e pësojnë si ai i Elbasanit”, Xhelal Mziu pendohet pas deklaratës tronditëse

Kandidati i Partisë Demokratike për Dibrën, Xhelal Mziu ka reaguar për deklaratën tronditëse gjatë një takimi ku është shprehur se ata që do të tentojnë të blejnë votën do e pësojnë si ata në Elbasan, duke pasur parasysh vrasjen e Pjerin e Xhuvanit.

Në sqarimin për opinionin publik, Xhelal Mziu shpreh pendesën për komentin të cilin e justifikon se ka ndodhur për shkak të emocioneve të forta.

“Me sinqeritetin më të madh, shpreh keqardhjen time dhe pendesën time për komentin tim të panevojshëm dje, për shkak të emocioneve të forta të momentit. Dua të jem i qartë: unë mbështes zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe jam kundër dhunës! Jam penduar thellë për komentin tim dhe kërkoj ndjesë para gjithë shqiptarëve”,  shprehet Mziu.

Çfarë deklaroi Mziu

“Kemi ngritur grupet e gatshme. Nga sot dhe në vazhdim, çdo person i dyshimtë që lëviz në lagjet tuaja, mjafton një telefonatë dhe do ta pësojë njëlloj si ai i Elbasanit”.

Kjo ishte deklarata shokuese e bërë nga Xhelal Mziu, kandidati i Partisë Demokratike në Dibër, vetëm dy ditë para zgjedhjeve të 25 prillit.

Të mërkurën, në qytetin e Elbasanit mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, pas përplasjes me strukturën e mbrojtjes së votës, e krijuar nga PD. Pas ngjarjes, Gazment Bardhi bëri të ditur se kjo strukturë është ngritur me ish-punonjës policisë dhe do të shërbejë për të denoncuar blerjen e votës.