Varianti i ri Omicron i koronavirusit shkakton një sëmundje të lehtë pa simptoma të mëdha, deklaroi sot Angelique Coetzee, presidente e Shoqatës së Mjekëve të Afrikës së Jugut, vendi nga vjen varianti dhe që e ka izoluar atë.

Megjithatë, Coetzee theksoi se të moshuarit dhe njerëzit që vuajnë nga sëmundjet janë ende në rrezik.

”Mundësia e një varianti të ri u shfaq disa ditë më parë në Pretoria. Pacientët shfaqnin simptoma që fillimisht nuk dukeshin ato karakteristiket si të Covid-it”, tha Coetzee.

”Njerëz të të gjitha etnive u shfaqën me një ndjenjë lodhjeje, fëmijë me rrahje të shpejta zemre, pa shfaqur askush një nga simptomat më tipike të infeksionit të ri me koronavirus, pra humbjen e shijes dhe nuhatjes. Simptomat e tyre ishin shumë të ndryshme dhe më të lehta nga ato që kisha trajtuar më parë”, thotë Coetzee, e cila ka 33 vjet që merret me këtë profesion.

Coetzee shpjegoi se pacientët e saj nuk kishin simptoma të rënda, se ishin mirë, por shprehu shqetësimin për të moshuarit, të cilët janë më të prekshëm, veçanërisht nëse kanë sëmundje të zemrës ose diabet.

“Ajo për të cilën duhet të shqetësohemi është se njerëzit e moshuar dhe të pavaksinuar infektohen me variantin e ri (Omicron). Dhe nëse nuk vaksinohen, do të shohim shumë njerëz me forma të rënda të sëmundjes”, tha Coetzee duke kujtuar se situata në Afrikën e Jugut është shumë e ndryshme nga ajo në Evropë, për shkak të incidencës së ulët të fushatës së vaksinimit dhe pjesës së popullsisë mbi 65 vjeç, e barabartë me vetëm 6,0%.