Dy persona mbetën të vdekur dhe 1 tjetër u plagos rëndë në një aksident të regjistruar këtë të shtunë rreth orës 02:30 minuta në aksin rrugor “Milot-Tuneli i Kalimashit”, në vendin e quajtur “Vau Shkjeze” në Rrubik.

Makina që shihni në pamje është përshkruar tej për tej nga mbrojtësi metalik i rrugës duke dëmtuar rëndë 2 pasagjerët dhe shoferin.

Udhëtimi në orët e para të mëngjesit u kthye në një tragjedi për dy pasagjerët e mjetit, 31-vjeçarin Marius Çeça dhe mikun e tij Denis Gjeta 30 vjeç, të cilët humbën jetën në vend, duke mos i mbijetuar plagëve të marra.

Në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës ndodhet shoferi i makinës, Marsel Busho, 35 vjeç.

Nga rindërtimi i skenës së aksidentit dyshohet se i riu ka humbur kontrollin e mjetit duke shkuar me kokë aty ku niste mbrojtësi metalik i rrugës. Mbrojtësi ka çarë xhamin e parmë dhe për shkak të shpejtësisë është përshkruar tej për tej makinës në disa metra.