Mbyllja e edicionit është gjithmonë kohë bilancesh. Më të dukshmet janë edhe ato që lidhen me pozicionimin në grupin. Vendi i tretë dhe 18 pikë të grumbulluara në kualifikueset e Kupës së Botës janë një rekord i rëndësishëm. Nëse nuk jemi të kënaqur me faktin që lamë pas Hungarinë, duhet të hedhim sytë nga e kaluara për të kujtuar rezultatet e Shqipërisë.

Në tetë edicione të mëparshme të Botërorit, duke nisur nga Itali ’90, paraqitjet kanë qenë modeste. 11 pikë në total në tre edicionet e para, për të arritur te rekordi me 13 pikë i Hans Peter Briegel, në Gjermani 2006. Ai rekord u barazua në rrugën drejt Botërorit 2018 në Rusi, edicion të cilin e nisi De Biasi dhe e përfundoi Panucci.

Edhe pse barazoi paraqitjen më të mirë të Kombëtares, ky fakt nuk i mjaftoi ish-mbrojtësit të Romës dhe Realit. Panucci u shkarkua, për t’i lënë vendin Edy Rejas. Edhe pse situatat janë diametralisht të ndryshme, diçka e tillë mund të ndodhë edhe me trajnerin italian. Përtej pikëve, Shqipëria nuk bind me lojë. Kuqezinjtë kanë zhgënjyer në ndeshjet vendimtare me rivalët e mëdhenj dhe skema 3-5-2 vijon të krijojë shumë pakënaqësi, ashtu si edhe zgjedhjet teknike të trajnerit.

Duke u shprehur pas fitores me Andorrën, Reja pretendon se ka edhe një vit kontratë me Kombëtaren, por mbetet i hapur edhe për një zgjidhje të marrëveshjes. Ndoshta, për t’i hapur rrugë një projekti të ri, me objektivin primar drejt “Euro 2024”.