Zinedine Zidane ka folur për rezultatet e këqija të Real Madridit pa Ramos në Ligën e Kampionëve. Në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Interin, francezi nënvizoi.

Marrëdhënia me Conte – “Ne nuk jemi në kontakt çdo ditë. Kur ishim lojtarë tek Juve, e kemi pasur kapiten dhe ishte një lider i rëndësishëm në ekipin tonë. Normale që ai u bë trajner, kjo nuk më habit. Marrëdhënia është e mirë. Është e vërtetë që nuk jemi dëgjuar kohët e fundit, nuk jemi në kontakt të rregullt. Kur isha duke u përgatitur si trajner shkova në Torino dhe po flisja me të, gjithçka ishte fantastike. Isha me të për katër apo pesë vite dhe kemi një marrëdhënie shumë të mirë”.

Grup shumë i vështirë – “Të gjitha grupet, në përgjithësi janë shumë të forta, shumë konkurruese. Edhe i yni. Siç është i vështirë Champions-i, të gjitha ndeshjet e tij janë të vështira. Nesër luajmë në shtëpi dhe do të përpiqemi të fitojmë”.

Kërkesat në Champions – “Futbolli këtu në përgjithësi është më i barabartë, është më i vështirë, më i bukur. Nuk ka skuadra të vogla, të gjithë mund të fitojnë kundër të gjithëve. Kjo është arsyeja pse çdo herë që luajmë në Champions duhet të jemi të lumtur”.

Nëse e ardhmja e tij varet nga sfida me Interin– “Jo. Unë nuk jam duke menduar për këtë. Jam duke menduar për ndeshjen e nesërme. Ne jemi me fat që të luajmë një lojë të Ligës së Kampionëve nesër. Pjesa tjetër është e pashmangshme, por ajo që mund të bëjmë është ta përgatisim mirë ndeshjen”.

Nëse ky Real Madrid është më i dobët se i sezonit të kaluar – “Unë nuk e di, të gjithë mund të kenë një mendim. Vitin e kaluar nuk fituam Ligën e Kampionëve, por gjithmonë e aspirojmë atë. Nuk kam asnjë dyshim se është në kokën time dhe të lojtarëve si objektiv. Do të jetë e komplikuar, ndaj duhet të luftojmë shumë”.

Evolucioni i Hazard në lidhje me aspiratën për Champions – “Ne aspirojmë gjithçka, gjithmonë. Gjithmonë duam të tregojmë se jemi më të mirët. Eden? Natyrisht, ne e dimë çfarë lojtari është, cilësinë që ka. Me të jemi më të fortë”.

Motivimi – “Ne kemi një finale nesër, e dimë mirë këtë. Çdo ditë këtu është një finale. Do të përqendrohemi në atë që duhet të bëjmë nesër. Janë tri pikë në lojë dhe duhet t’i fitojmë ato”.

Interi në nevojë – “Ne e njohim rivalin, është një ndeshje e vështirë. Interi është një ekip i mirë, shumë fizik, që luan mjaft mirë. Do të jetë një duel i vështirë për ne. Është një finale dhe ne do ta marrim ashtu siç është. Do të përpiqemi të marrim tri pikët”.