Në vendin ku i vetmi vend gatimi ishte haleja, i vetmi kamjon ishte ZIS-i sovjetik, e vetmja veturë ishte GAZ-i i Degës, e vetmja këpucë që nuk fuste ujë ishte çizmja e ushtarit, e vetmja dashuri ishte imagjinata, e vetmja dashnore ishte Doriana, e vetmja dëshirë ishte arratisja, i vetmi send që prodhohej ishte ai më i urryeri, më i shëmtuari, më i turpshmi, ai që i thuri lavde skllavërimit, bindjes së verbër, servilizmit, spiunllëkut dhe të gjitha veseve të tjera më të ndyra, fëlliqësira propagandistike më e fëlliqt, makabriteti estetik më kriminal që ka parë bota – filmi shqiptar.

Filmi shqiptar ishte një mal me coftina, qen e mace të ngordhura, sy të çpuar, veshë të shkulur, tru të kalbur, lëkura me ekzema, kocka të deformuara, kufoma të dekompozuara, gjarpërinj të ngordhur, nëpërka të helmatisura.
Filmi shqiptar ishte një mutnajë propagandistike të cilën shqiptarët pasi e hëngrën pritën të rrëmbejnë një anije për të ikur për ta vjellë në fund të botës.

Filma të mirë pa aktorë të mëdhenj, ka. Aktorë të mëdhenj pa filma të mirë, nuk ka kurrkund tjetër veçse në filmat shqiptarë. Filmi shqiptar është e vetmja këllirë kinematografike e historisë së botës i bërë nga regjizorë gjoja “gjenialë” dhe aktorë demek “korifej”.

Filmi shqiptar ishte një shiringë nga ato të ndërzimit artificial të lopëve që disa shqiptarë bastardë ua ngulën në kokë shqiptarëve normalë me dhjetra vite derisa ja thithën trurin dhe në vend të trurit i futën mutin.

Filmi shqiptar ishte çmendina ku shqiptarët lëpinë budallallëkun e njëritjetrit si macet dhe qëntë gjakun në oborrin e thertores.

Filmi shqiptar ishte një pirun me tre dhëmbë; një sqepar i përgjakur i quajtur “regjizor i madh”, një brisk rroje i ndryshkur i cilësuar “aktor gjenial”, një trupjerdhur që mbahej për “skenarist i talentuar”. Ky pirun me këta tre dhëmbë, nën mbikqyrjen e rreptë të diktatorit dhe Sigurimit, bashkëpunuan ngushtësisht për t’ua tharë trurin shqiptarëve.

Filmi shqiptar është ajo dukuri katastrofike gjoja edukative që i ndan shqiptarët; Në njerëz që dinë ose nuk dinë ta bëjnë dallimin mes propagandës dhe Artit.
Filmi shqiptar është një helm që po ta pish, edhe pes lek po të kesh në xhep, të lind dëshira t’ja falësh një jevge me shpresën e marrë se jevga do t’i shumfishojë.

Filmi shqiptar është një acid të cilin pasi e pi, çorroditesh aq tepër sa shkon shqyen derën e një depoje armësh ku armatosesh deri në dhëmbë pa e ditur se cilën luftë do bësh e cilët vëllezër do vrasësh.
Filmi shqiptar është një kakofoni tingujsh kombinuar me tekst për të vjellë.
Filmi shqiptar është një arkivol që e paraqesin si djep.