Nëse në vendin tonë pandemia e koronavirusit thuajse është harruar, ekspertët në Britaninë e Madhe kanë ngritur alarmin se varianti i ri Arcturus është superinfektues dhe kanë bërë thirrje për rikthimin e maskave në transportin publik.

Varianti i ri ka rritur frikën se mund të kthehet dominues së shpejti dhe të shkaktojë një valë të re infektimesh. Virologët janë shprehur se koronavirusi ende është një rrezik edhe pse rastet kanë rënë gjatë muajve të fundit dhe masat janë hequr.

Daily Mail shkruan se ekspertët i kanë kërkuar qeverisë që të ofrojë vaksina përforcuese për miliona britanikë.

“Ne jemi në një situatë shumë më të mirë, megjithatë iu bëj thirrje qytetarëve që të mbajnë maska në transportin publik, në grumbullime apo në ambientet e mbyllura. Mund të duket se po rikthehemi pas, por realisht virusi vazhdon të shkaktojë pasoja dhe personat vulnerabël vuajnë më shumë.

Në mungesë të masave në shkallë të gjerë, të gjithë duhet të ruajnë veten. Megjithatë, situata mbetet dinamike me imunitetin që është në rënie dhe variantin e ri që është shumë ngjitës”, tha profesori Stephen Griffin, një kritik i hershëm i qeverisë britanike për mënyrën sesi e menaxhoi pandeminë.