Kur Jozefina Topalli, Myslim Murrizi, Rudina Hajdari apo dhe Astrit Patozi me Bindjen Demokratike të krijuar në 2019-n, njoftuan se do të merrnin pjesë në zgjedhjet e 25 prillit, nga partia që i prodhoi si figura politike, u konsideruan si përçarës të elektoratit të djathtë.

Pritshmëritë e tyre ishin se me partitë e reja do të arrinin të faktorizoheshin në skenën politike, e cila dominohet nga tre aktorë të përhershëm.

Por, a e përçau realisht ‘Lëvizja për ndryshim’ e Topallit, Bindja Demokratike e Patozit, Lëvizja Demokratike Shqiptare e Murrizit dhe Nisma Thurje me të cilën kanididoi Rudina Hajdari, votën e djathtë?

Së bashku, në rang kombëtar, këto parti morën 30200 vota, por asnjëra nuk arriti të prodhojë mandat, duke qenë se gara është rajonale

I vetmi që duket i kënaqur me rezultatin është Endrit Shabani i Nismës Thurje.

Matematika e votave na tregon se, edhe sikur këto 4 parti të garonin së bashku me PD-në, i vetmi qark ku mund të siguronin një mandat më shumë për demokratët do të ishte Shkodra. Me 179 vota diferencë, do të merrnin 1 mandat nga social-demokratët e Tom Doshit.

Bashkëpunimi do të siguronte një ngushtim të rezultatit me rreth 300 vota në Vlorë, Dibër dhe Durrës, por pa arritur të sillte një mandat më shumë për PD-në në këto qarqe. E njëjta gjë dhe në qarkun e Tiranës, ku diferenca me socialistët do të reduktohej në 629 vota.