(Fatmir Mediu paraqitet në GJKKO dhe kërkon ndjesë për Gërdecin pas 15 vjetësh, por shton se nuk duhet ta dënojnë…)
Ish-ministri Fatmir Mediu është paraqitur ditën e sotme në GJKKO, pasi po mbahet seanca e radhës për çështjen e shpërthimit në depon e municioneve në Gërdec, ku mbetën të vrarë 26 persona dhe u gjymtuan dhjetëra të tjerë.
I detyruar tashmë nga procesi ish-minidtri kërkoi ndjesë para trupës gjykuese, por tha se nuk ndihej fajtor penalisht.
Në fjalën e tij ai thekson se nuk ka asnjë përgjegjësi penale për këtë tragjedi, duke shtuar se “rihapja e çështjes është plotësisht në kundërshtim me Kodin Penal dhe atë Procedural Penal, me Kushtetutën e RSH-së, si dhe me Konventën Europiane për Liritë dhe të Drejtat Themelore të Njeriut.”
“Që prej 15 Marsit të vitit 2008, jeta e disa prej njerëzve që janë sot në këtë sallë, ka ndryshuar rrënjësisht. Pas shpërthimit në Gërdec, shumë prej tyre përjetuan ngjarje të rënda, deri në humbjen tragjike të njerëzve të tyre të dashur. Kjo ngjarje tragjike ndryshoi gjithashtu jo pak jetën time dhe të familjes sime. Që prej asaj dite në mendjen dhe në shpirtin tim rëndon pesha e dhimbjes dhe vuajtjes së këtyre familjeve, të cilëve përulësisht ju rikërkoj një ndjesë të madhe për çfarë ndodhi dhe ju shpreh gjithë keqardhjen time të thellë njerëzore.
Edhe pse, as me dashje dhe as nga pakujdesia, nuk janë veprimet, apo mosveprimet e mia, apo dhe interesi im personal, ato që shkaktuan, apo ndikuan në shpërthimin në Gërdec.
Për familjarët e viktimave dhe të dëmtuarit në Gërdec, shteti është përgjegjësi që nuk mbrojti jetët e familjarëve të tyre. E për ta, shteti në këtë rast është Ministri. Ndaj, kundrejt tyre unë nuk kam çfarë të them. Do desha shumë ta zhbëja atë që ndodhi, por nuk kam asnjë forcë, veçse t’ju shprehë edhe njëherë, keqardhjen e madhe dhe ndjesën e thellë për çfarë pësuan nga tragjedia e 15 Marsit.
Është plotësisht e qartë që rihapja e çështjes penale në ngarkimin tim dhe më shumë akoma vazhdimi i këtij gjykimi, është haptazi në kundërshtim me Kodin Penal dhe atë Procedural Penal, me Kushtetutën e RSH, si dhe me Konventën Europiane për Liritë dhe të Drejtat Themelore të Njeriut.
Dua të besoj se nxitja për ta rihapur këtë çështje dhe për ta vazhduar gjykimin, nuk është politike dhe se ju nuk keni apo mbështesni interesa politike në këtë proces” – ka deklaruar Mediu në sallën e gjyqit.