Ministrat e Ekonomisë të Procesit të Berlinit, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe partnerët e tjerë kërkuan zbatimin e shpejtë të aktiviteteve të Tregut të Përbashkët Rajonal nga ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, që do të sjellë përfitime konkrete dhe të drejtpërdrejta për kompanitë dhe qytetarët në rajon. Kjo është veçanërisht relevante nën dritën e Planit të Ri të shpallur së fundmi të Komisionit Evropian për Rritje për rajonin, i cili i referohet integrimit gradual në tregun e vetëm të BE-së.
Takimi i titulluar “Tregu i përbashkët rajonal – Një hapi drejt tregut unik të BE-së”, i organizuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë, mblodhi palët kyçe të interesit për të diskutuar tema të ndryshme, duke përfshirë zgjerimin e tregtisë, konvergjencën ekonomike dhe integrimin e sistemeve të pagesave. Eventi u mbajt në përgatitje të Samitit të Procesit të Berlinit dhe ishte një mundësi për ministrat dhe partnerët ndërkombëtarë që të reflektojnë për arritjet, prioritetet dhe sfidat kryesore në zbatimin e Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal dhe avancimin e integrimit rajonal përmes Procesit të Berlinit, si një instrument i rëndësishëm për përshpejtimin e konvergjencës ekonomike të rajonit me Bashkimin Evropian.
Duke theksuar rolin vendimtar të tregtisë në rritjen e ekonomive, Danijela Gačević, ushtruese e detyrës së Drejtoreshës së Sekretariatit të CEFTA-s, theksoi se CEFTA ka kontribuar ndjeshëm në rritjen ekonomike. Në vitin 2022, vëllimi i tregtisë së mallrave arriti në 8.8 miliardë, duke shënuar një rritje mbresëlënëse prej 112% krahasuar me vitin 2014. Sipas Barometrit Ballkanik, 61% e kompanive në vitin 2022 raportuan se përfitonin nga CEFTA, një rritje e konsiderueshme nga 37% në vitin 2015. Shifrat tregojnë se rajoni ka potencial të mëtejshëm të pashfrytëzuar. Për çlirimin e këtyre mundësive, CEFTA është e përkushtuar të adresojë barrierat jotarifore, të thjeshtojë dokumentacionin për mallra dhe shërbime, dhe të avancojë digjitalizimin e tregtisë, në përputhje me politikat dhe standardet e BE-së.
“Mesazhi ynë është i qartë – nuk ka rrugë të shkurtra në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Një parakusht për përparim të mëtejshëm në këtë drejtim është miratimi i vendimeve që janë koordinuar përmes punës së përbashkët të ekipeve të ekspertëve nga të gjitha palët e CEFTA-s. Shtatë vendime kyçe janë në pritje të miratimit si një hap drejt përparimit të mëtejshëm dhe krijimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, ura jonë për tregun e vetëm të BE-së”, tha Gačević.
Ministrat bënë vlerësimin e progresit të arritur në kuadër të kornizës së CEFTA-s, ku janë dakorduar 7 vendime të Komitetit të Përbashkët, së bashku me 7 të tjera që po negociohen aktualisht së bashku me një Protokoll Shtesë. Ata kërkuan miratimin dhe zbatimin e shpejtë të këtyre vendimeve për të sjellë përfitime konkrete për bizneset dhe qytetarët në Ballkanin Perëndimor.
Ministrat kërkuan gjithashtu përpjekje të shtuara në zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve dhe nismave të tjera, siç janë Korsitë e Gjelbra CEFTA-TCT. Ata vlerësuan Memorandumet e Mirëkuptimit midis ekonomive të Ballkanit Perëndimor dhe shteteve anëtare të BE-së për shkëmbimin elektronik të të dhënave në pikat e kalimit, të cilat janë krijuar për të përshpejtuar zhdoganimin e mallrave dhe për të zvogëluar kohën e pritjes.
Ministrat përsëritën se Plani i Veprimit i Tregut të Përbashkët Rajonal është zhvilluar për të nxitur zhvillimin e rritjes ekonomike të rajonit dhe për ta sjellë atë më afër BE-së. I bazuar në katër liritë – lëvizjen e mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit – ai synon të lehtësojë vendosjen e mallrave dhe shërbimeve nëpërmjet programeve të njohjes, të reduktojë për 30% kohën e pritjes në PKK dhe në pikat e përbashkëta të kalimit (PPK), të rrisë lëvizshmërinë e qytetarëve, dhe t’i bëjë pagesat më të lira dhe më efikase.
Një pjesë e konsiderueshme e takimit u fokusua në rolin kritik të sistemeve të pagesave në funksionimin e tregut. Ministrat shprehën mbështetjen e plotë politike dhe zotimin për prioritizimin e aktiviteteve që synojnë anëtarësimin në SEPA (Zona e Vetme e Pagesave në Euro), duke theksuar rëndësinë e reduktimit të kostove të pagesave brenda rajonit dhe me BE-në. Për më tepër, në Bashkimin Evropian, Rregullorja e Pagesave Ndërkufitare (924/2009) siguron që tarifat e pagesave për pagesat ndërkufitare të mos jenë më të larta se ato për pagesat e brendshme dhe CEFTA duhet të synojë të krijojë kornizë të ngjashme për rajonin. Zdravko Ilić nga Sekretariati i CEFTA-s nënvizoi rëndësinë e pagesave për tregtinë.
“Konkurrueshmëria e kompanive tona dhe standardet e qytetarëve tanë mund të rriten duke i integruar sistemet tona të pagesave dhe duke i bërë transaksionet tregtare më të lira”, shpjegoi Ilić. Banka Botërore e mbështeti këtë me të dhëna që tregojnë se pagesat brenda rajonit janë 6 herë më të shtrenjta se në BE. “Anëtarësimi në SEPA, por edhe lehtësimi i ofrimit të shërbimeve të pagesave dhe kryerja e pagesave rajonale QR, të modeluara sipas BE-së, është një mënyrë se si Tregu i Përbashkët Rajonal mund të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe bizneset dhe të kontribuojë në integrimin e mëtejshëm në BE”.
Teksa Shqipëria përgatitet të presë Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit më 16 tetor 2023, Sekretariati i CEFTA-s mbetet i përkushtuar për të mbështetur të gjitha iniciativat që synojnë forcimin e lidhjeve ekonomike midis Palëve të saj dhe lehtësimin e rrugës së tyre drejt integrimit në BE. Samiti do të ofrojë një platformë kruciale për shqyrtimin e zotimeve dhe përcaktimin e objektivave të së ardhmes, të orientuara drejt përfshirjes efektive dhe të orientuar drejt rezultateve të qytetarëve dhe bizneseve të Ballkanit Perëndimor në tregun e vetëm të BE-së