Fotoja e një vogëlushi në pikën kufitare të Kakavijës po bën xhiron e rrjetit. Ndërsa situata është kaotike dhe njerëzit presin prej orësh që të kalojnë kufirin, fëmija ka marrë pasaportën shqiptare në dorë dhe e mban të shtrënguar në kraharor.

I lodhur nga pritja e gjatë, në një moment shfaqet me lot në sy duke e shtrënguar pasaportën, pamje trishtuese që është bërë virale në rrjete sociale.

Së bashku me të afërmit, i bindet urdhrit të policisë që të qëndrojë në radhë. Vihet re se e ka hequr bluzën për shkak të vapës së madhe dhe ulet në gjunjë, ku duket sikur i është dorëzuar lodhjes, por asnjëherë nuk heq nga duart dokumentin që e vërteton se cilit komb i përket.

Për këtë foto ka reaguar edhe gazetari Mentor Kikia.

“Mos lejoni qe edhe femijet te kene fatin tuaj

Ky djale i vogel shtrengon ne dore pasaporten e tij ne pritje te kaloje kufirin me Greqine.

Prinder, ju qe keni siguruar nje pasaporte greke, italiane a gjermane, duke ikur naten ferrave neper male, me gomone neper det, apo te ngrire ne kamione frigoriferike, mos lejoni qe edhe femijet tuaj te kene te njejtin fat. Mos shikoni arratine si zgjidhjen e vetme edhe per ta.

Mos ejani ne Shqiperi te votoni per partine qe ju paguan bileten e autobuzit. Ju nuk e shisni voten per 20 euro dhe as ua kercenon kush vendin e punes. Ndikoni dhe ju qe gjerat te behem me mire ketu, qe femijet tuaj te mos dergjen radheve neper kufijte e botes, me apo pa virus.

Ky femije eshte deshmia e drames sone te madhe te arratise”, shkruan Kikia në rrjetet sociale.