Autoritetet e turizmit të Berlinit kanë nisur një fushatë marketingu që paraqet një grua të moshuar duke drejtuar gishtin e mesit te njerëzit që nuk pranojnë të mbajnë maska.

“Ngrini gishtin për të gjithë ata që nuk kanë maskë”, thuhet në poster.

Në këtë mënyrë, ata duan të theksojnë rëndësinë e mbrojtjes së shëndetit të të moshuarve.

Publiku thotë se fushata është e diskutueshme dhe disa në Gjermani e kanë quajtur atë fyese.

Posteri “Ne i respektojmë rregullat e koronës” u shfaq në gazetat lokale të martën, por u përhap shpejt në rrjetet sociale.

Christian Tänzler, një zëdhënës i Visit Berlin, tha që posteri, i cili është pjesë e një fushate më të gjerë, u kujton njerëzve që të ndjekin rregullat në qytet.

“Shumica e berlinezëve dhe mysafirëve tanë respektojnë dhe ndjekin rregullat e koronës, por disa njerëz nuk e bëjnë. Këta njerëz rrezikojnë jetën e njerëzve të moshuar dhe njerëzve nga komunitetet në rrezik. Ne donim të tërhiqnim vëmendjen për këtë problem. Kjo është arsyeja pse ne zgjodhëm këtë motiv provokues”, tha Tanzler për BBC.

“Berlinezët janë shumë të njohur për komunikimin e tyre të drejtpërdrejtë,” tha ai, duke shtuar se ai mendon se shumë qytetarë do ta vlerësojnë humorin.

Por fushata nuk është për shijen e të gjithëve.

Lorenz Maroldt, kryeredaktor i gazetës së Berlinit Der Tagesspiegel, është një prej tyre.

“Ata duket se mendojnë që fyerja e njerëzve është më e suksesshme sesa rregulla të rrepta, të qarta me kontrolle efektive ,” tha Maroldt.

Të tjerët theksuan se disa njerëz nuk mund të mbajnë maska ​​për arsye shëndetësore.

“Grupi ynë i synuar ishin njerëzit që nuk respektojnë jetën e të tjerëve. Nëse disa njerëz ndjehen të sulmuar personalisht sepse nuk janë në gjendje të mbajnë maskë, ky nuk ishte qëllimi ynë. Unë kërkoj falje për këtë,” tha Tänzler.