Nga akad. AURELA ANASTASI

-Me rastin e 10 Majit, Ditës së Drejtësisë, në 110 -vjetorin e krijimit të Gjykatës së Lartë

___________

Gjykata e Lartë e nisi rrugëtimin e saj në maj të vitit 1913, kur Kanuni i Jurisë, parashikoi Gjykatën e Diktimit si gjykatën më të lartë të shtetit shqiptar të pavarur.

Por, në vitet e para të pavarësisë është e paqartë nëse funksionoi kjo gjykatë. Sjellim në vëmendje paqëndrueshmërinë politike që u krijua për shkak të ngjarjeve që ndodhën brenda dhe jashtë vendit.

Gjithashtu, Statuti Organik i Shqipërisë që u hartua nga fuqitë e Mëdha më 1914 dhe dy ligjet vijuese për organizimin e gjykatave përkatësisht më 1917 dhe 1919, parashikuan gjykatat e Apelit me juridiksion rishikues dhe jo një Gjykatë të vetme Diktimi. Prandaj, ne njohim historinë pas rikrijimit të saj në vitin 1920, me seli në Shkodër. Fillimisht, ajo funksiononte me dy degë, atë Civile dhe Penale. Por në vitin 1922 u riorganizua me një degë të vetme, me 5 gjyqtarë, me justifikimin e pakësimit të shpenzimeve financiare. Pas hyrjes në fuqi të Statutit të Shtetit Shqiptar të vitit 1922, Gjykata e Diktimit u bë e qëndrueshme si gjykata e vetme më e lartë. E riorganizuar nga ligji i miratuar në Janar të vitit 1923, ajo u parashikua edhe nga dispozitat e Statutit Themeltar i Republikës Shqiptare, si dhe atij të Mbretnis’. Sikurse ka theksuar studiuesi Koco Nova, gjatë mbretërisë Gjykata e Diktimit “… nuk ishte një gjykatë thjesht kasacionale, që shqyrtonte vetëm problemet ligjore, por kishte edhe kompetenca gjykimi në themel sipas modelit të procedurës zvicerane”. Kjo gjykatë vijoi punën edhe në kushtet e pushtimit të Shqipërisë. Në vitet 1943-44 juridiksioni i saj u shtri edhe në Kosovë. Por, në vitin 1945, u ndërpre jo vetëm emërtimi i saj, por edhe tradita juridike që kishte krijuar.

Parimet themelore të organizimit dhe të funksionimit të gjykatës së Diktimit u sanksionuan në statutet e Shtetit Shqiptar, si dhe në ligjet për organizimin e drejtësisë. U sanksionua parimi i pavarësisë së gjykatave dhe parime të tjera si, mosnënshtrimi i tyre ndaj asnjë organi, përveç ligjeve; parimi i patundshmërisë së gjyqtarëve (parevokueshmërisë) etj. Sanksionimi formal i këtyre parimeve ishte një hap i rëndësishëm për formimin e identitetit të Gjykatës së Diktimit, megjithatë, ishte i pamjaftueshëm për të pasur një gjyqësor të pavarur. Faktikisht, Gjykata e Diktimit vuajti nga ndërhyrjet e pushtetit politik dhe pati disa përballje me të. Në disa periudha u vu re një tendosje në raportet midis kësaj gjykate dhe qeverisë së kohës. Tensione midis tyre mund të jenë të shëndetshme në një shtet demokratik sikurse thekson kryegjyqtari Ahron Barak. Por kjo nuk rezultoi për një shtet si Shqipëria në atë periudhë. Këto tensione arritën deri në shpërbërjen e Gjykatës nga ana e qeverisë, gjë që dëshmon mungesën e pavarësisë së gjyqësorit.

Nga dokumentet e kohës, së paku në dy raste, konstatojmë shpërbërjen e Gjykatës së Diktimit duke larguar nga puna të gjithë gjyqtarët e saj. Rasti i parë ka ndodhur në vitin 1925 dhe u justifikua me arsyet e riorganizimit të Gjykatës. Gjykata e Diktimit u shpërbë nga ekzekutivi, me shkresë të Ministrit të Drejtësisë së kohës, Petro Poga, që urdhëronte pushimin nga puna të të gjithë anëtarëve të dhomës së vetme të Gjykatës së Diktimit, duke u drejtuar: “… anulimin e gjyqit të Diktimit dhe formimin e tij në dega (civile e penale) Z. Juej për arsyna administrative pushoheni nga puna”. Por, rasti më flagrant i ndërhyrjes së ekzekutivit ka qenë ai i vitit 1932, kur me dekretin e 4 Marsit të Këshillit Ministruer u shkarkuan thuajse të gjithë anëtarët e saj. Si shkak për shkarkimin u paraqit fakti se, të gjithë gjyqtarët e të dyja degëve civile e penale “…janë tue marrë pjesë aktive ndër korrentet politike, sjellje qi pengojnë kryemjen e misionit të lartë me ndërgjegje të lirë e të pastër”. Me këtë dekret u pushuan nga puna, Z. Agjah Libohova, Kryetar i degës penale të Diktimit, si dhe anëtarët: Zotërinjtë Baltazar Benusi, Salim Luniku, Kol Dhimitri, Neki Delvina, Vasil Bidoshi, Dervish Sula dhe Avni Dabulla, si dhe ndihmës gjyqtari Hasan Dosti.

Kjo valë shkarkimesh shkaktoi diskutim në median e kohës, përfshirë median italiane, si dhe gjeti vend në raportet e përfaqësive ndërkombëtare në Shqipëri. Të gjitha burimet e kohës theksonin se Mbreti i shkarkoi me një dekret të 12 anëtarët e Gjykatës së Diktimit. Në fakt nga dokumenti i shkarkimit rezulton se janë shkarkuar 8 gjyqtarë dhe një ndihmës gjyqtar. Ndërkohë, nga burime të tjera rezulton se, anëtari i fundit i mbetur, Harilla Theodhori, dha dorëheqjen. Në fakt, në bazë të Statutit themeltar dhe të ligjit “Për organizimin e Drejtësisë” të dt. 1 Prill 1929, Gjykata e Diktimit përbëhej nga 12 anëtarë, nga të cilët, 2 kryetarë përkatësisht në të dyja degët, 4 anëtarë për secilën prej degëve dhe nga 1 ndihmës anëtar për secilën. Pranë saj vendosej edhe Kryeprokurori. Mbetet të hulumtojmë se çfarë ka ndodhur me 2 anëtarë të tjerë të saj. Mund që përbërja në këtë kohë të ketë qenë e paplotë, ose shtypi i kohës ka referuar një numër të gabuar shkarkimesh.

Po cili ishte shkaku i vërtetë i këtij konflikti? Në disa dokumente arkivore gjejmë opinionin se shkak për konfliktin midis gjyqësorit dhe ekzekutivit u bë ligji “Mbi gjykimin e shpejtë të padive posedimore”, i vitit 1931. Ai cenonte parimin e pafuqisë prapavepruese të ligjit, parim i sanksionuar shprehimisht në Statutin themeltar të Mbretnisë Shqiptare, sipas të cilit: “Ligjet nuk mund të kenë fuqi prapavepruese, përvec atyne që lehtësojnë ndëshkimet penale”.

Deri më sot, doktrina shqiptare ka mbajtur qëndrimin se ky mund të ketë qenë një pretekst për të shkarkuar gjyqtarët për shkak të pikëpamjeve të ndryshme me qeverinë. Por, në fakt ky supozim nuk mbështetet nga ndonjë dokument. Nuk gjejmë ndonjë akuzë për asnjë nga anëtarët e shkarkuar të gjykatës dhe duket e çuditshme që të gjithë njëkohësisht të jenë mpleksur politikisht. Në fakt, Vendimi i Këshillit të Përgjithshëm të Gjykatës së Diktimit, i 3 Shtatorit të vitit 1932, 6 muaj pasi ishin shkarkuar gjyqtarët dhe ishin zëvendësuar me gjyqtarë të rinj, na ndihmon të arrijmë në tjetër opinion mbi shkakun e vërtetë të sjelljes së ekzekutivit. Nga ky vendim kuptojmë se shkaku themelor për konfliktin nuk ishte thjesht qëndrimi i ndryshëm në lidhje me pa/kushtetushmërinë e ligjit “Për gjykimin e shpejtë të padive posedimore”. Shkaku i vërtetë lidhet me qëndrimin ndaj rishikimit gjyqësor të ligjit. Me këtë precedent Mbreti dhe enturazhi i tij politik nuk mund të pajtoheshin, sepse ai do t’i hapte rrugën kontrollit kushtetues nga gjykatat e zakonshme. Kjo do të thoshte kufizim i pushtetit politik. Një precedent i tillë do t’i hapte rrugën kontrollit kushtetues gjyqësor case by cases, e për rrjedhojë, edhe zhvillimit të demokracisë liberale.

Kështu, Këshilli i Përgjithshëm i Gjykatës së Diktimit me anëtarë të rinj, e rrëzoi vendimin e Gjykatës së Faktit të qarkut Shkodër, e cila kishte gjykuar të papajtueshëm me Statutin themeltar ligjin « Mbi gjykimin e shpejtë të padive posedimore”. « Qysh në hyrje të vendimit, Këshilli i Përgjithshëm thekson se: « Pushteti gjyqësuer, si mbas statutit Themeltar dhe ligjeve në fuqi, nuk ka kompetencë me kontrollue ligjet në janë pregatii ose jo në konformitet me dispozitat e statutit Themeltar; por vetëm me i aplikue pikërisht. » Këtë vendim Këshilli e mbështet në parimin e ndarjes së pushteteve. Ai arsyeton se « asnji prej pushteteve qi jan: Pushteti legjislatif, pushteti përmbarues e pushteti gjyqësuer nuk kanë tagër të hyjnë njeni tjetrit në fushën e veprimit…, pse përndryshe në vend të rregullimit kishte me dalë shrregullimi dhe anarkija,…”. Në vijim Këshilli thekson: “Me qenë se as në Statutin Themeltarë të Mbretnisë Shqiptare por as ndër ligja të tjera në fuqië, nuk rezulton qi gjyqtarit t’ i ketë akordue pushtetin për me kontrollue, në se nji ligjë e votueme prej Parlamentit…, i konformohet dispozitavet Statutor ase asht në kundreshtim me to, kaqë sa që deri interpretimi autentik i ligjave…, pse me nenin 226 të Statutit të Mbretnisë ky tagër i përket drejtë për së drejti fuqiës legjislative”.

Nga arsyetimi i vendimit, arrijmë të vështrojmë se Këshilli i ri i Përgjithshëm i Gjykatës së Diktimit, ishte më tepër i shqetësuar për të argumentuar pafuqinë e gjykatave për të ushtruar kontrollin e ligjit, sesa vetë zgjidhja e themelit të çështjes, e cila ka marrë pak vëmendje në arsyetim. Me këtë vendim u godit edhe zbatimi i drejtpërdrejtë i dispozitave të Kushtetutës, si dhe shmangia e ligjeve antikushtetuese, i cili ishte shpallur nga doktrina e kohës. Stavro Vinjau, në veprën e tij “E drejta Konstitucionale” 1923, u kërkonte nëpunësve të Ministrisë së Drejtësisë të mos zbatojnë ligjet që vijnë në kundërshtim me Statutin.

Me këtë vendim, Këshilli i Përgjithshëm i gjykatës së Diktimit e mbylli mundësinë e rishikimit gjyqësor të ligjeve nga gjykatat e zakonshme. Më tej u ndoq praktika franceze e kontrollit kushtetues paraprak, përmes Këshillit të Shtetit, me juridiksion këshillimor, si dhe vetëkontrolli që bënte parlamenti përmes interpretimit autentik të ligjeve. Sa më sipër, na bën të konkludojmë se fillesat e konstitucionalizmit shqiptar që ishin pjesë të përpjekjeve për pavarësinë e Shqipërisë, morën një kthesë mbrapa me këtë vendim. Për ecurinë e mëtejshme, ka nevojë të studiohet jurisprudenca e Këshillit të Shtetit e sidomos zbatimi i vendimeve të tij.