Gjykata Kushtetuese ka shpallur antikushtetuese pikën tre të nenit 163 të Kodit Zgjedhor, që parashikon herësin brenda listës së kandidatëve për deputet si të papajtueshëm me Kushtetutën.

Kërkesa për shfuqizimin e këtij neni ishte bërë nga Bindja Demokratike dhe Lëvizja Demokratike Shqiptare.

Vendimi nuk ka fuqi prapavepruese, që do të thotë se nuk rrezikon mandatet e deputetëve të zgjedhjeve të 25 prillit, ku deputetët renditja e listave të kandidatëve ishte caktuar nga partia.

Ish-kryetari i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, përshëndeti vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar nenin që parashikon herësin brenda listës së kandidatëve për deputet, duke e quajtur të papajtueshëm me Kushtetutën.

“Herësi i Damianit, i cili e mbyllte me dry kinez listën e deputetëve, që e kishte hapur më parë Kushtetuta. Në pritje të zbardhjes të vendimit, për të cilin nuk besojmë të ketë të papritura, e falënderojmë trupën, që për këtë çështje nuk iu drejtua Komisionit të Venecias.

E kemi ditur që në fillim se nuk prisnim që kjo e drejtë do të aplikohej për zgjedhjet e 25 prillit, i cili do të kishte qenë shërbimi i duhur dhe në kohë për demokracinë dhe shtetin tonë të së drejtës. Por tek e fundit, në Shqipëri do të ketë prapë zgjedhje edhe pas 25 prillit. Kjo ishte e vetmja mundësi që kishim për të vlerësuar votën dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë, siç ata e hedhin, dhe ne atë e shfrytëzuam.

Pas kësaj, presim që këtë vendim ta përshëndesë edhe Partia Demokratike, si forca kryesore e opozitës, sepse ajo para zgjedhjeve është shprehur për lista 100 për qind të hapura”, shkruan Patozi në Facebook.