Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka njoftuar së fundmi blerje të mëdha armësh për të përballur ose vendosur balancën në raport me Turqinë.

Mediat greke raportojnë se blerja konsiston në 18 avionë gjuajtës Rafale, 4 fregata të reja, 4 helikopterë Romeo për përdorim në operacione detare, sisteme antitank, silura detare dhe raketa për forcat ajrore.

Një tjetër masë është edhe shtimi i forcave aktive ushtarake me 15 mijë trupa për 5 vjetët e ardhshëm.

Duke folur në Panairin Ndërkombëtar të Selanikut, Mitsotakis bëri disa komente lidhur me sjelljen e Turqisë.

“Ankaraja po i shton provokimeve në Egje minimin e paqes në mbarë Mesdheun. Ajo po kërcënon kufijtë lindorë të Europës dhe po minon sigurinë në një kryqëzim të ndjeshëm për tre kontinente”, tha Mitsotakis.

Aktualisht të dyja vendet janë përfshirë në konflikt për zonat detare në Egje dhe situata ka kaluar në mobilizim ushtarak dhe mjetesh duke hapur rrugën për përplasje të armatosur.