Greqia ka shënuar me një paradë ushtarake 200 vjetorin e revolucionit të madh që solli edhe krijimin e shtetit grek.

Festimet e sotme për 200-vjetorin e Revolucionit Grek (1821) u hapën me një përshëndetje me 21 të shtëna armësh dhe ngritjen e flamurit grek në Akropol, në prani të presidentes së Republikës, Katerina Sakellaropoulou dhe kryeministrit, Kyriakos Mitsotakis.

Sopranoja e njohur Anastasia Zanni këndoi himnin kombëtar grek dhe një liturgji festive u zhvillua në Katedralen e Athinës.

Tanke, mjete të blinduara, avionë, helikopterë, kalorësi dhe batalione ushtarësh parakaluan në rrugët e kryeqytetit grek dhe qiejt e tij dhe u përshëndetën nga autoritetet shtetërore si dhe shumë të ftuar, ku mes tyre mund të veçojmë Princin Charles dhe bashkëshorten e tij Camilla.

Pavarësisht se të ftuar ishin një numër i konsiderueshëm liderësh europiane ka nga ata që i janë përgjigjur me “jo” ftesës për pjesëmarrje për shkak të rregullave të pandemisë, të cilat ndikuan po ashtu dhe në pjesëmarrjen masive të njerëzve në këtë paradë.

Hapja e paradës u bë me 15 kalorës, me kuaj të Drejtorisë së Kalorësisë së Armatosur. Kalorësia u shfaq me uniforma ushtarake të vitit 1821, Luftërave Ballkanike dhe uniforma nga Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore si dhe moderne. Kalorësit mbajtën flamuj historikë nga luftërat e kombit.

Parada u zhvillua në rrugë të zbrazëta për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Para paradës, presidenti grek dhe përfaqësuesit e Britanisë së Madhe, Francës dhe Rusisë, vendet e huaja që kontribuan në Revolucionin Grek, së bashku me Qipron, vendosën kurora me lule tek Varri i Ushtarit të Panjohur përpara Parlamentit.

Presidenti i Qipros, Nicos Anastasiades dhe bashkëshortja Andri, kryeministri i Federatës Ruse Mihail Mishustin, princi i Uellsit Charles dhe Dukesha e Cornwall Camilla dhe ministrja franceze e Mbrojtjes, Florence Parly morën pjesë në një darkë shtetërore nga presidentja Sakellaropoulou dje në mbrëmje, pas një vizite në Galerinë Kombëtare të Arteve.