HOMERI 

MBRETI HEGJEMON I BARDËVE TË BOTËS

Nga të gjithë krijesat që u shfaqën në tokë,
njeriu është qenia më e dobët
(Homeri)

CV:
EMRI: Homer [Omiros]
Thonë se emri i tij i vërtetë është Melisigenis, ngaqë lindi (genis) në brigjet e lumit Melita të Smirnit. Më vonë u quajt Omiros, ose ngaqë ishte i verbër (sipas greq. së vjetër “ὡς μὴ ὁρῶν”), ose meqë ra rob (“omiros” – gr.) në një luftë në Smirni.
LINDJA: pothuajse shek. i 9-të, para Krishtit.
VDEKJA: shek. 1 p. Kr.
VENDPREHJA: Ios
PRINDERIT: Kritiida & Mionas
GJUHA AMTARE: greqishtja e vjetër.
ORIGJINA: Ionia. Shtatë qytete të saj i pretendojnë qytetarinë:
më të mundshmet janë Smirni (në Turqinë e sotme juglindore) dhe Hio (ishull grek)
KRIJIMTARIA: Eposi Homerik
VEPRA TË TJERA: Përveç dy poemave të Eposit Homerik, atij i atribohen edhe disa vepra të tjera më të vogla rreth ciklit trojan, si p.sh. disa himne fetarë, parodia epike “Βατραχομυομαχία”
(Lufta e bretkosave) dhe një rrëfim komik për një hero budalla,
të quajtur Margitin. Tani së fundi studiuesit i atribojnë
edhe epigramet e “Antologjisë Palatine” (vitet 153 dhe 147)
BIOGRAFËT ANTIKË: Më të njohurat biografi të lashta për Homerin janë dy:
a) “Jeta e Homerit” (Βίος του Ομήρου) e Pseudo-Herodotit (Ψευδοηρόδοτου)
b) “Beteja e Homerit” e Isiodit (Ησίοδου)
POETI MË EPIK I NJERËZIMIT
Ishte bard i lashtësisë antike helene, regjistruar në defterin botëror të krijuesve të të gjitha kohërave, si “poeti më epik i njerëzimit”. Zyrtarisht është krijuesi i famshëm i “Iliadës” dhe “Odisesë”, dy poemave epike, të cilat përbëjnë veprat nismëtare të letërsisë antike greke, të cilat mbetën në histori si korpusi i “Epikës Homerike”. Mbi këto kolona u ngrit në kohët e pastajme edhe ngrehina e letërsisë evropiane dhe asaj të përtej Atllantikut e më gjerë, që sot emërtohet bashkërisht “letërsia perëndimore”.
Koinsiderohet si njëri nga poetët më të rëndësishëm të të gjitha epokave, po të bazohesh edhe në thëniet për të të të mëdhenjve të përhershëm të Olimpit letrar, përshembull të Dante Aligierit në “Komedisë Hyjnore”, apo të Virgjilit, i cili e konsideron “poet hegjemon – mbret i të gjithë poetëve” dhe shumë e shumë të tjerëve.

EPOSI HOMERIK

“Iliada”
Është ndërtuar si poemë epike për të rrëfyer ngjarjet historike gjatë Luftës dhjetëvjeçare të Trojës, eventit më të rëndësishëm gjeopolitik dhe ushtarak të botës së atëhershme, që ndikoi pandalshëm më bëmat dhe mesazhet e saj botën e pastajme, deri më sot. Përqëndrohet kryesisht në një ballafaqim heronjsh gjigandë, brenda kampit të aleatëve rrethues të Trojës, konkretisht në mes kryekomandantit të fushatës, mbretit Agamemnon të Spartës dhe njërit prej luftëtarëve më legjendarë të aleancës, gjysmëhyjnisë Akil. Kjo mërri zgjat disa javë, gjatë vitit të fundit të luftimeve dhe është pasqyrë ekzakte e gjithë atij relievi ushtarako-shoqëror, me kundërshtitë njerëzore që e karakterizonin. Poema përbëhet prej rreth 15000 vargjesh dhe mur rrethues ka 51 ditët më kushtëzuese në vitin e fundit të kësaj Lufte, e cila në përgjithësi zgjati një dhjetëvjeçar.
Odiseja
Përshkruan kthimin peripecik të mbretit të Itakës, Odisesë, dhe të luftëtarëve të tij nga Troja, pas rrënimit të saj. Përbëhet prej rreth 12000 vargjesh dhe kohëzgjatja e udhëtimit të kthimit të Odisesë në vendlindjen e tij Itakë është një dhjetëvjeçar, aq sa zgjati edhe Lufta e Trojës.
Gjuha
Gjuha e këtyre poemave është “homerikja greke”, një gjuhë artistike ku përfshihen karakteristika të dialekteve të lashta “ionike” dhe “eolike”, me dominues “ionikun lindor”. Shumë studiues të Eposit Homerik pretendojnë se poemat u krijuan fillimisht në mënyrë proforike (me të folurën e legjendave), pastaj u shkruan në kohët e mëvonshme.
Rëndësia
Epika Homerike është një faktor tejet i rëndësishëm i kulturës së lashtë helene. Për Platonin, Homeri ishte ai që “τὴν Ἑλλάδα πεπαίδευκεν” (arsimoi Greqinë). Ndikimi i këtij Eposi është kolosal edhe në kulturën perëndimore, duke ndikuar edhe krijimin e disa veprave të rëndësishme të kësaj letërsie, por edhe në muzikë, në artet figurative dhe në kinematografi.
Debati
Është një problem që është hedhur për debat këtu e shumë kohë më parë dhe nuk ka përfunduar kurrë në një rezume përfundimtare dhe të pranueshme për të gjithë: ai se nga kush, kur, ku dhe në ç’rrethana është krijuar ky epos i jashtëzakonshëm arti. Ngaqë nuk mund të honepset nga mendja njerëzore që gjithë këtë madhështi artistike ta ketë ngritur mbi piedestalin e pambaruar të kohërave mendja e një njeriu të vetëm, sado gjeniale të paraqitet ajo. Më e pranueshme është ideja që këto dy vepra janë shkruar dhe plotësuar nga njerëz të ndryshëm. Besohet se poemat janë krijuar në fund të shek të 8-të ose në fillimet e atij të 7-të para Krishtit. Vetë figura e Homerit del nga mjegullat e mijëvjeçarëve shumë e turbullt, tepër e vështirë për t’u identifikuar saktësisht. Të dhënat rreth tij më së shumti kanë të bëjnë me rrëfenjat, se sa më të dhëna shkencore, bazuar tek shkrimet e lashta. Sipas tyre, më të njohurat janë faktet që thonë se ishte një rapsod i verbër, me prejardhje nga Ionia. Dhje kaq… Të tjerat vazhdojnë t’u përkasin legjendave.

PROBLEMI HOMERIK:
Teori konspiracioni
Nën termin “Çështja Homerike” zhvillohet tash e shumë kohë një shkencë e tërë filologjike. Në tryezat shkencore janë hedhur pyetje të shumta, që kanë të bëjnë me prejardhjen, mënyrën e krijimit dhe regjistrimit të “Iliadës” dhe “Odisesë” në fondin e artë të trashëgimisë kulturore të njerëzimit.
Po ç’është gjithë ky “rebus” i famshëm filologjik, cilat janë konkretisht pyetjet që kërkojnë përgjigje?
1. Ishte figurë konkrete Homeri? Kur jetoi, si i krijoi veprat e tij dhe cilat janë konkretisht ato?
2. Cilat nga ngjarjet, toponimet dhe figurat që përmend Homeri kanë prejardhje historike? Pas zbulimit të rrënojave antike të Trojës dhe Mikenës, kjo pyetje filloi të merrte një rëndesë më të madhe. Bota shkencore tashmë në duar nuk kishte vetëm rrëfime të lashta, por objekte konkrete. Një materie të gjallë.
3. Veprat, për të cilat bëjmë fjalë, janë krijime të të njejtit autor? Disa ndryshime në stil dhe në nënshtresën kulturore midis dy veprave mundësojnë “teorinë e konspiracionit”, që thotë se këto dy poema janë shkruajtur nga autorë të ndryshëm, në kohëra të ndryshme, pa u vërtetuar kjo besueshëm.
4. Këto dy shkrime janë koncepte të unifikuara poetike apo shtresa të ndryshme? Shumë studiues pretendojnë se shkrimet që kemi sot në duar e kanë prejardhjen nga kombinimi i disa varianteve ose thjesht janë zgjerimi i të shkuarave. Kundërshtarë të kësaj teorie “analitike” janë “enotikët” (përbashkuesit), të cilët mbrojnë tezën më të mundshme, se tek çdo vepër mund të dallohet një koncept i qëndrueshëm dhe i përbashkët letrar, i cili realizohet nga i njejti person. Ballafaqimi me eposin proforik të legjendave, tregoi se poetët proforikë, të cilët ushtrojnë teknika që nuk janë të afërta me ato të epokës së shkrimit, mundin megjithatë të kompozojnë dhe të arshivojnë në kujtesën e kohës krijime poetike të një shtrirjeje më të gjerë.
5. Prej teorisë proforike rrjedh pyetja kardinale: cili ishte kontributi i shkrimit në krijimin e poemave? U regjistruan në kujtesën e kohës kur u krijuan, gjatë periudhën së deklamimit, u diktuan nga poeti apo mbijetuan proforikisht dhe u regjistruan përfundimisht më vonë?
Një gjë është e sigurtë: ka shumë punë akoma bashkësia shkencore filologjike për të zbërthyer besueshëm dhe përfundimisht “rebusin homerik”. Një mundësi, jo e pakët, është të mos zgjidhet kurrë.

_____

Nga Grigor JOVANI
Athinë, nëntor 2023