Liri Mborja

(Korçë, 27/12/1923 – Tiranë, 12/03/2011)

Sa herë që vinë festat e 28 dhe 29 Nëntorit, vinë e zgjohen edhe kujtimet për të gjithë luftëtarët e lirisë. Por edhe sa herë që na qëllon të dëgjojmë një këngë partizane, apo edhe kur zë e nis pranvera…, do të na vinë ndërmend malet që atëhere filluan të mbushen me djemtë e vajzat e këtij vatani duke kërkuar lirinë e tij. Më 5 Maj do të na kujtohen të rënët…, por edhe të gjithë ata partzanë e partizane që ëndrrën e tyre patën fatin ta vazhdojnë… Dhe në një ditë të tillë të atyre viteve të lavdishme, pa mbërritur mirë pranvera, bashkë me shoqet e saj do të rrëmbente armën dhe do të dilte malit për liri edhe 19 vjeçarja Liri Mborja.
“…Me dhjetëra të tjerë dolën partizanë pas vitit 1942. Dolën malit partizanë dhe luftuan për liri dhe vajzat mborjare si: Andromaqi Jankulla, Fatime Sala, Fillareti Manika, Katerina Spiro, Liri Mborja, Marika Mborja, Makbule Hoxha, Vaide Braho, Vangjeli Toshi, Vergjine Jankulla, Viktori Tupa, Zarife Armata, Xhevahire Pano…” – shkruan gazeta “Kushtrim Brezash” më 18 shkurt të 2011, në një shkrim të Engjëllush Pupës “Mborja gjatë LANÇ”.
S’mund të rrinte veçuar, kur i huaji i kish shkelur vatanin, vajza e komitit të maleve, e komandantit të çetave të para për liri e pavarësi qysh më 1909-n, Liria e dr. Haki Mborjes. S’mund të rrinte mënjanë kësaj beteje të madhe për liri, motra e Kryetarit të Komitetit Antifashist të qarkut të Korçës, prof.Sali Mborjes. S’mund të mos rrokte pushkën për lirinë e atdheut ajo që vetë rilindasi e kish pagëzuar kur do të lindte më 27 dhjetor të 1923, me emrin e ëndrrës më të çmuar për ne shqiptarët – LIRI…
Liri Mborjen do ta kujtojmë gjithmonë sa herë të përmendet ai Kongres i idealeve të pastra të Rinisë Antifashiste që u mbajt në Helmës më 8 – 17 gusht 1944. Një nga 72 delegatet vajza ishte edhe ajo. Me flokët e përzhitura nga lufta, më 3 gusht 1944 Liri Mborja do të zbriste nga malet dhe do të ishte një nga 131 delegatet që do të merrte pjesë në Kongresin e Parë të Gruas Antifashiste që u mbajt në Beratin e çliruar. Liri Mborja do të shquhej në këtë luftë të madhe si një trime e mençur, si fisnike e vërtetë. Këtë e dëshmojnë të gjithë ata që patën fatin të ishin përkrah saj në atë Luftë të madhe Nacional-Çlirimtare. Atë e vërtetojtë të gjitha dekoratat e medaljet që iu akorduan, si ajo “…e Trimërisë”, “Medalja e Kujtimit” e deri tek “Urdhëri Naim Frashëri” që mori kur doli në pension si juriste dhe nënkryetare e gjykatës së rrethit Tiranë më 1979-n.
E ndershme dhe modeste gjer në madhështi, Liri Mborja nuk i përmendi kurrë për së gjalli meritat dhe dekoratat e saj. Si gjyqtare të aftë dhe parimore gjer në idealizëm do ta kujtojnë të gjithë ata që patën fatin të punojnë me të. Çuditërisht (ose aspak për çudi) ashtu e kujtojnë edhe ata që u përballën me ligjin dhe u gjykuan nga ajo. Sa gjallë e me nder – ajo jetoi deri kur vdiq në Tiranë më 12 mars të 2011-s. Të afërmit e të gjithë ata që e njohën do ta kujtojnë me dashuri atë. Ne, nipërit dhe gjithë pasardhësit e saj, sa të rrojmë, do t’u krenohemi brezave për të shtrenjtën tonë, të paharruarën Liri Mborja.

Ilir MBORJA

_____

Gazeta “Kushtrim brezash” – 11 mars 2012