Simbologji

Nga Zija VUKAJ

_____

Duke treguar në mënyrë shembullore atë që është e qëndrueshme dhe e përjetshme, guri simbolizon në shumë kultura fuqinë e Zotit. Kësaj i duhet shtuar pastaj fakti që disa gurë mund të prodhojnë shkëndija, ndërsa të tjerë kanë rënë nga qielli (meteoritët), apo kanë ca forma të çuditshme. Në fillim të qytetërimit njerëzor guri përdorej si lëndë e parë për ndërtimin e veglave dhe armëve, gjë që sillte njohuri rreth vetive të brendshme të materialit të përdorur. Zakoni për të ngritur ndërtesa të shenjta me blloqe gjigante guri (ndërtesa megalitike, si “dolmen”, “cromlech”, të formuar prej gurësh të vendosur në formë rrethi, shëtitore me gurë të mëdhenj anash) është i përhapur gjerësisht që nga epokat më të lashta (6000 para Krishtit); “menhir”. Në shumë mite vëmë re praninë e qenieve të mbinatyrshme apo edhe të njerëzve që lindin nga shkëmbinjtë (Përmbytja Universale). Në Lindjen e lashtë guri ishte një shenjë e pranisë hyjnore; i kushtoheshin blatime në formë të lëngët ose e lyenin me vaj e me gjak, duke e bërë një altar (Betel “shtëpia e Zotit”). Nganjëherë edhe një grumbull i thjeshtë gurësh mund të merrte një kuptim simbolik në sfondin fetar (Kerkur në Afrikën e Veriut, Obi në Azinë Qendrore). Konsiderata e thellë e vlerës së rrënjosur në bllokun e gurit të papërpunuar që nuk është formuar nga puna e njeriut, është shprehur bukur në “Testamentin e Lashtë” ku thuhet: “Më bëj një altar prej guri, duke mos e ndërtuar me gurë të latuar, sepse ti e përdhos atë që fërkon tehu yt” (Hesiodi 20, 25). Për këtë arsye, për hebrenjtë, veçanërisht ortodoksë, madhështia e tempullit të Jerusalemit përbënte një skandal të vërtetë (R. Aron 1960- Bibla, 24). Në mitin e lashtë grek një gur zë vendin e zotit të epërm: zoti i zanafillës Kroni (Saturni), i trembur se do të rrëzohej nga froni nga njëri prej bijve të tij, duke përsëritur kësisoj atë që ai vetë i kishte bërë të atit Uranit, të tredhur e të përzënë prej tij- vendosi t’i përpinte; por Rea, e shoqja, mbështolli një gur në një rrobë dhe Kroni e hëngri, kështu që i vogli Zeus mundi të rritej fshehurazi dhe më vonë të mposhtte të atin. Guri që Kroni kishte Vjellë u çua pastaj në Delf dhe aty, i lyer me vaj dhe i rrethuar nga një rrjetë leshi, qe përnderuar si kërthiza e botës (omphalos).

Nga legjenda e Përmbytjes Universale dimë që çifti i mbijetuar, pra Deukalioni e Pirra, i dhanë jetë përmes gurëve, “eshtrat e Nënës-Tokë”, që hidheshin pas krahëve, një race të re njerëzore që do të zëvendësonte atë të mëparshmen të mbytur në ujë. Gurët e çmuar, shenjat dalluese të të cilëve janë ngjyra shkëlqimi dhe fortësia, zënë një vend të veçantë në teoritë e simboleve; e megjithatë meriton të merret në konsideratë edhe blloku i gurit thjesht si material ndërtimi (“guri që hidhet tutje e që bëhet gur këndor”).
Në simbolizmin masonik, ankora e patrajtë “gur i papunuar” paraqet gradën e nxënësit; gjysma e paracaktuar është përfaqësuar nga “guri i gdhendur”, që mund të futet në ndërtimin e stërmadh të tempullit të njerëzimit. Kësaj vlere simbolike iu referuan kantieret që në mesjetë punonin për ndërtimin e katedraleve dhe ku vlera e punimit të gurit kishte një rëndësi themelore. Çelësat e qemerit shpesh ishin të dallueshëm nga shenjat që linte aty dalta e mjeshtrit dhe të kujtonin runat (shkronja të alfabetit nordik)
Në simbolizmin e krishterë guri është në raport me dënimin kapital të gurëzimit, me të cilin në mënyrë arkaike hebrenjtë dënonin blasfemuesit; është rasti, për shembull, i pamjes së shën Stefanit, martiri i parë (protomartiri) dhe më rrallë i imazheve të ndëshkimit të shën Jeronimit, ku shohim këtë shenjtor që godet veten në kraharor me një gur në shenjë pendese. Me shërimin nga “gurët” e pranishëm në qenien njerëzore (tëmth, veshka, fshikëz), duket se është marrë Peshkopi i Paderbornit, i paraqitur zakonisht me tre gurë të vendosur mbi një libër.
Në ikonografinë alkimike “guri filozofik” (lapis philosoforum) simbolizon cakun e fundit të çdo synimi, me ndihmën e të cilit metalet e “ulëta” mund të shndërrohen në ar.
Në shumë raste gurët (edhe fronet e gurta) kanë një rol në ceremonitë e lashta të kurorëzimit; tregohet, për shembull, që kur mbreti i vërtetë prek një prej këtyre gurëve, ai lëshon një britmë të fortë (legjendë e lashtë irlandeze). Ky “gur i njohjes” gjendet mbi një kodër të qytetit të Taras dhe ishte emërtuar tradicionalisht “fâl” (lingam i heroit Fergus). Duke i qëndruar traditës, në Tara do të kenë qenë edhe dy gurë, kaq të afërt sa mes tyre ishte e pamundur të fusje dorën (Blocc Bluigne). Nëse këta gurë pranonin një njeri si mbret të ardhshëm, ndaheshin para tij duke e lejuar qerren e tij që të kalonte. Një të hyrë, kapte “fal”-in dhe guri fërkonte boshtin e qerres në mënyrë që të gjithë të pranishmit të mund të dëgjonin zhurmën (A.e B. Rees 1975- Bibla, 20). Këtu duheshin gurë që paraqitnin çarje dhe plasa si “gurë zvarritjeje”, në kuptimin që mendohej se njeriu që kalonte aty mund të largonte në mënyrë magjiko- simbolike sëmundjet dhe fatkeqësitë e tjera. Gurët e pjerrët të lëmuar deri në rrëshqitje, janë sipas besimit popullor, një mjet i magjisë nga prekja, aq sa, sidomos gratë që lëshoheshin në rrëshqitje me të ndenjura të zbuluara, thithnin në vetvete cilësinë e pjellorisë nga “gjymtyrët e Nënës Tokë”, aq sa çliroheshin nga shterpësia. Në mënyrë të ngjashme, ca “dolmen” prehistorikë (varre guri) bretonë ishin konsideruar “gurë të ngrohtë”, sa besohej se u jepnin fuqi organeve gjenitale të grave sterile që uleshin aty. Ngrohtësia e tyre simbolizonte energjinë jetësore që është e nevojshme për të pasur forcën me nxjerrë në jetë pasardhës. Gurit i vishej fuqia e grumbullimit në vete të energjisë së Tokës dhe e transmetimit tek njerëzit që ishin në kontakt me të.
Studiuesi i prehistorisë K. J. Narr (1974, Bibla, 17) mendon se në ndërtimin e varreve të gurta, shpesh tepër madhështorë, “është këmbëngulur nga njëra anë në një tendencë monumentale dhe nga ana tjetër në fortësinë, për të cilën nuk duhet të mahnitemi nëse qëllimi është të lidhë brezat e shkuar me ata të ardhshëm.

Monumentet megalitikë që na sjell arkeologjia, lejojnë të njohim deri aty ku ka mbetur, një lidhje të fortë me të vdekurit, një kult të të parëve në një stil të madh dhe nganjëherë lejojnë të vihen në lidhje mes tyre vendet e shenjta, vendet e bashkimit dhe rastësisht ndërtimet megalitike përshtatur kultit.”