Nga Myslim Maska

– TREGIM –

Pa hajde moj Meri, hajde moj motra ime ta shikosh sa e bukur është kjo lulëkuqja që ka mbirë tek sofati i portës tonë. Si doli mes gurëve? Pa          shikoji si dridhen petalet, sikur duan të flasin, por s’munden. Më duket se edhe lulet edhe  gurët edhe drurët, e gjithë bota, gjithësia, është një qenie e gjallë, na flasin, por është faji ynë që s’i kuptojmë. Çfarë duan të na thonë vallë?

– Ku di unë e shkreta, dy vjeçe më e madhe se ty jam.

– Po këto rruaza vezulluese mbi petalet e lulëkuqeve?  – pa shikoji si harbojnë e ndrijnë!

– Ndoshta janë lotët e yjeve që bien mbi petalet e luleve, se yjet çmenden për bukuritë. Kështu më thoshte gjyshja sa herë më mbante në prehër, kur më tregonte përralla dhe më krihte flokët.

– Po Ai, për të cilin të gjithë njerëzit flasin se netëve kur erret, del nga errësira, si një “Engjëll” dhe shëtit nëpër fshat. Flet me zë të lartë dhe qesh me ironi dhe bërtet. Duhet të ketë një hall të madh! Thonë se e kanë dëgjuar, por s’e kanë parë. Është e vërtetë? – kush është Ai?

– E ku di unë, aq sa di ti! Lëri këto e kuturisu me veten. Kur të jesh me delet atje lart, tek kodra në krye të fshatit mendo sa e si të duash për të. Por gjersa thonë s’është pa gjë…

– Hajde, nxirri delet dhe qengjat nga katoi se u bë vonë. Patjetër dhe qenin, Bobin. Babai dhe mamaja torturohen tërë ditën për të na rritur e veselitur. Dhe jemi pesë fëmijë. Ne të dy jemi më të mëdhenjtë. Unë do ndihmoj për punët e shtëpisë, ti me bagëtinë. Mos harro, merr dhe librat me vete! Të bësh mësimet për nesër!

***

Ajo reja sipër meje m’u bë si çarçaf qumështor, më ngrohu, më përkëdheli dhe iku, që të vinte ylli mbi gjoksin tim. Një yll i madh mbi një gjoks çilimiu. Më shkrifëroi, më mbushi me magji dhe dritë. Dhe pashë gjëra të mrekullueshme dhe të tmerrshme si ato që më thoshte gjyshja kur më tregonte përralla. Dhe sikur vdisja dhe sikur ringjallesha. Përralla thosha me vete, përralla. Por kur gjashtë qengjat bridhnin dhe harbonin, vallëzonin në qiell, blegërinin, këndonin dhe kërcenin hop – hop së bashku me retë e vockla bardhoshe, jeta mu duk shumë e bukur dhe u përlota.

***

Bobi po më lëpinte në faqe, u zgjova. Ishte errësuar. U tremba. U tremba shumë, se do kaloja tek varrezat e vjetra, aty ku kishte shtëpinë “NJERIU ME RROBA JESHILE”…  Dhe isha trembëdhjetë vjeç… Dhe vërtetë, sa u futëm tek varrezat, delet u trembën dhe u kthyen mbrapa. Bobi, duke kuisur, me bishtin ndër shalë erdhi më kapi me dhëmbë tek cepi i pantallonave dhe më tërhoqi mbrapa.

– Mos u tremb! – më tha. Ti je i madh tani, 13 ose 14 vjeç, aq sa ishte çupa ime. Më përkëdheli shpatullat dhe më puthi flokët. Të them të drejtën s’ndjeva asnjë prekje, ndjeva se nga poshtë po njomesha. Ta them këtë – vazhdoi – që t’ua thuash të tjerëve, megjithëse e gjithë krahina e di, se kjo është bërë tashmë si një legjendë. Kur isha i ri, u dashurova marrëzisht me Nelin. Po kështu e dashuronte dhe Hasani. Pak më i madh në moshë se unë. Pas 12 viteve, kur vajza ishte 11 vjeçe, për arsye ekonomike shkova në emigracion në minierat  e qymyrgurit në Francë. Kthehesha një muaj çdo vit. Aty nga viti i pestë më vjen një letër fatale nga ime shoqe: “Vajzën e përdhunoi Hasani. Vajza s’e duroi dot poshtërimin, vrau veten”…

Bleva një pistoletë dhe u ktheva si i çmendur. Kishte marrë vesh, më bëri pritë dhe më vrau. Kanë kaluar dhjetëra e dhjetëra vjet qysh atëherë. Sa herë ka shira me gjëmime dhe vetëtima dalë dhe e kërkoj. Do ta gjej , kudo që të jetë, do ta ngre nga varri, do ta vras, dhe vetëm atëherë, do prehem i qetë dhe do të udhëtoj përjetësisht si të gjithë njerëzit e kësaj bote. Unë s’jam për DHUNË, por dhunës duhet t’i përgjigjesh me dhunë, ndryshe të fyejnë, të poshtërojnë, të shtypin me këmbë, të pshurrosin…

Ai po ngashërehej, unë po qaja. Kur bëra dhjetë – pesëmbëdhjetë hapa dhe ktheva kokën mbrapa, Ai qe zhdukur.

***

Kur mbërrita në shtëpi, Babai, kur pa gjendjen time, shumë i tronditur, më puthi duke më thënë: Të zuri gjumi dhe dhëntë bënë zarar në të mbjellat e fqinjëve? Apo dikush të qëlloi? Më thuaj që t’ua ndreq qejfin. Jo! – i thashë unë dhe ja tregova të gjitha.

– Të është bërë nga frika.

– Jo! Pse delet u kthyen mbrapa dhe ikën të trembura? Po Bobi që më kapi tek cepi i pantallonave dhe më tërhoqi mbrapa me bishtin ndër shalë?

Këtë çast vjen Mamaja e shqetësuar. Kur Babai po i tregonte se ç’kishte ndodhur, unë përfitova nga rasti, shkova menjëherë në banjë, u lava dhe u ndërrova.

Kur dola nuk pashë ASGJË!… As shtëpi, as avlli, as portë.

– Baba, Mama ku jeni?

– Jam vetëm, kam frikë…DIKUSH më puthi në faqe dhe flokë, më përkëdheli nga shpatullat. Ishte Meri, motra ime. Po ti harrove, më tha, që ne s’jemi më në këtë botë? Tërmeti tetë ballësh na hëngri të gjithëve. Tani e kemi shtëpinë atje lart, tek “NJERIU ME RROBA JESHILE”. Ecja bashkë me motrën dhe më dukej se më qante dhe shpirti dhe trupi.