Nga Zija VUKAJ

Po përmendim tregimin e Woody Allen “Rasti Kugelmans”, ku Zonja Bovari sillet nga një lloj makine e kohës në New Yorkun e sotëm dhe ka një histori dashurie. Duket një parodi e Ema Bovarisë së Floberit; vesh rroba bashkëkohore dhe bën blerje te Tiffany. Por është akoma e njohshme, sepse ruan pjesën më të madhe të veçorive diagnostike: është anëtare e borgjezisë së vogël, është e martuar me një mjek, jeton në Yonville, është e pakënaqur nga jeta e saj e provincës dhe ka prirje për adulter. Në historinë e Woody Allen, Ema nuk vetëvritet, por- dhe kjo është thelbësore për ironinë e rrëfimit- është tërheqëse pikërisht sepse është në zgripin e vetëvrasjes. Kugelmans duhet pra të hyjë në mënyrë fantashkencore në botën e Floberit para se Ema të ketë lidhjen e saj të fundit adulteriane, në mënyrë që të mos arrijë tepër vonë.
Ja pra, me kusht që të ruhent veçoritë diagnostike, se si një personazh i trilluar mund të qëndrojë i njëjti edhe nëse është ambjentuar në një kontekst të ndryshëm. Që veçoritë të jenë vërtet diagnostike duhen përcaktuar personazh për personazh.
Kësulëkuqja është një fëmijë, mban një kësulë të kuqe dhe takon një ujk që pastaj e përpin atë e gjyshen e saj. Këto janë karakteristikat diagnostike të Kësulëkuqes, edhe nëse persona të ndryshëm mund të kenë ide të ndryshme mbi moshën e vajzës, mbi llojin e ushqimit që ka në shportë e kështu me radhë. Kjo vajzë luhatet në dy mënyra: jeton jashtë partiturës së saj origjinale; dhe është një lloj mjegullnaje kufijtë e së cilës janë të ndryshueshëm e të pasaktë. E megjithatë, disa veçori të saj diagnostike mbeten të pandryshueshme dhe e bëjnë të njohshme në kontekste dhe situata të ndryshme. Mund të pyesnim se çfarë mund të ndodhte me Kësulëkuqen po të mos kishte takuar ujkun; por kam gjetur në website të ndryshme, shumë paraqitje të një vajze të vogël me kësulë të kuqe, me moshë nga pesë deri në dymbëdhjetë vjeç dhe e kam njohur gjithmonë protagonisten e përrallës. Ishte edhe një imazh që tregonte një bionde njëzetvjeçare seksi me një kësulë të kuqe; dhe e kam pranuar si Kësulëkuqen, sepse didaskalia e identifikonte si të tillë; por e quaja një shaka, një parodi, një provokim. Për të qenë Kësulëkuqe, një vajzë duhet të paraqesë të paktën dy veçori diagnostike: duhet të mbajë një kësulë të kuqe dhe duhet edhe të jetë fëmijë.