Kyriakos Mitsotakis ka siguruar shumicën e votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku sipas rezultateve paraprake ka arritur të marrë 40.55% të votave. Në këto zgjedhje, Mitsotakis është në rrugën e sigurt drejt sigurimit të shumicës absolute dhe nuk do të ketë nevojë për koalicion qeverisës.

Pas rezultateve paraprake në Greqi ka nisur festa. Qytetarët kanë dalë nëpër rrugë duke festuar për fitoren e Mitsotakis, ndërsa ndoqën edhe fjalimin që mbajti kryeministri.

Mesazhin për punë të palodhur dhe përshpejtim të reformave pa arrogancë apo qëndrime arrogante e ka dërguar presidenti i Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis, në deklaratat e tij të para me daljen e rezultateve paraprake të zgjedhjeve, ku Demokracia e Re ka fituar bindshëm.

Mitsotakis theksoi se populli grek i dha një mandat të fortë Demokracisë së Re, duke theksuar se rezultatet e dy garave zgjedhore nënkuptojnë fundin e toksicitetit dhe fillimin e epokës së stabilitetit.

Më pas zoti Mitsotakis tha se besimi i treguar nga qytetarët për Demokracinë e Re do të thotë se ka një borxh më të rëndë për t’i shërbyer vetë Atdheut. “Unë do t’i qëndroj besnik detyrës time kombëtare të punës së palodhur, nuk do të toleroj sjellje arrogante” – tha ai.

Duke folur për ushtrimin e qeverisjes, Mitsotakis tha se ND ka siguruar një shumicë të fortë me të cilën do të mund të vazhdojë menjëherë me reformat e nevojshme. “Kur hodha hapat e para 20 vite më parë, nuk e kisha imagjinuar kurrë që sot do të isha përballë jush duke pasur nderin dhe përgjegjësinë të zgjidhem kryeministër i pavarur për herë të dytë. Mundohem të mësoj nga gabimet e mia dhe nuk do të kisha mundur ta bëja pa partnerët e mi. Faleminderit familjes sime që më ka mbajtur gjithmonë në tokë. Sot do ta shijojmë për pak fitoren tonë, por që nesër në mëngjes do të përveshim përsëri mëngët për të ndërtuar së bashku një Greqi të fortë me më shumë prosperitet dhe drejtësi” – tha Mitsotakis.