Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko mbajti sot një konferencë për mediat, ku foli rreth vendimeve të marra mbi politikat monetare. Ai u shpreh se situata e vështirë ekonomike që u krijua nga pandemia e Covid-19 po shkon drejt reduktimit, ndërkohë shtoi se inflacioni ka pësuar rënie të ndjeshme.

Më tej, z. Sejko theksoi se pandemia e Covid-19 pasqyroi një rritje të papunësisë, por shtoi se sektori bankar ka vijuar pa problem aktivitetin e likuiditetit për bizneset dhe familjet.

“Ndikimi i pandemisë ka qenë serioz në tremujorin e dytë, por ka ardhur drejt reduktimit në muajt në vijim. Këto kushte monetare ofrojnë stimul për nxitjen ekonomike. Pandemia është sfida më serioze me të cilat është përballur globi. Aktiviteti ekonomik ka pësuar papunësi në rritje. Masat e paprecedenta fiskale kanë lehtësuar impaktin e pandemisë. Inflacioni pësoi rënie, ndërkohë sektori bankar ka vijuar me likuiditet për bizneset dhe familjet.”, tha Sejko.

Edhe pse zërat e institucioneve ndërkombëtare kanë parashikuar një situatë të vështirë për ecurinë e ekonomisë tonë, guvernatori Sejko tha se ekonomia e Shqipërisë do të ringrihet vitin e ardhshëm, gjithmonë nëse nuk ka përkeqësim të situatës mbi pandeminë. Ai shtoi se norma bazë e interesit nuk do të ndryshojë.

“Ekonomia do t’i kthehet ringritjes vitin e ardhshëm, nëse nuk kemi një përkeqësim të situatës. E rëndësishme është se harmonizimi i politikave financave mes Bankës së Shqipërisë dhe qeverisë, janë të koordinuara”, u shpreh ai.