Kjo mund të përshpejtojë lëvizjen drejt dixhitalizimit…

“Është njëlloj si t’i japësh goditjen e fundit një të moshuari që është në shtratin e vdekjes”, thotë shefi i një gazete britanike në lidhje me tregun e gazetave, ku çmimet janë rritur me mbi 50% brenda pak muajsh. Kostoja e letrës që përdoret në shtypshkronjat në mbarë botën po rritet në nivele rekord, duke rritur si pasojë edhe shpenzimet për botimin e gazetave në të gjithë globin, nga Mumbai në Sidnej, shkruan The Economist.

Përpara se reklamat të zhvendoseshin online, gazetat kishin partneritete me fabrikat e letrës. Por me largimin e reklamave dhe rënien e tirazheve, marrëdhëniet u bënë më transaksionale. Tani ato janë në pikën më të ulët.

Fabrikat e letrës pësuan humbje për vite me radhë, teksa gazetat reduktuan faqosjen, u bënë tërësisht dixhitale ose u mbyllën përgjithmonë. Gazetat ishin në gjendje të ulnin koston e letrës nga firmat që po mbanin me veshtirësi biznesin në këmbë, ndërkohë që kërkesa po binte. Fabrikat e letrës vuajtën në heshtje. Shumë ngurruan të mbyllnin makineri masive që kushtonin me qindra miliona dollarë.

Ky ngurrim është zhdukur tashmë. Fabrikat po eliminojnë prodhimin e letrave për gazeta dhe po diversifikohen. Norske Skog, një firmë norvegjeze që merret me prodhimin e letrës, tha në qershor se do të mbyllte fabrikën e saj 66-vjeçare në Zelandën e Re. Shumë fabrika po konvertojnë makineritë e tyre, për të prodhuar paketime për tregtinë elektronike. UPM, një kompani finlandeze, njoftoi këtë vit se do të shiste fabrikën e letrës së gazetave në Uells, tek një prodhues turk i kartonëve dhe ambalazheve.

Për kompaninë ruse JCS Volga, letra e gazetave përbënte 70% të prodhimit; tani gjysma e prodhimit të fabrikës lidhet me paketimin. Fabrikat e letrave “u zhvendosën nga marrës të çmimeve, në bashkëpjesëmarrës të aftë në një treg në rënie”, thotë Tim Woods nga IndustryEdge, një firmë kërkimore për industrinë pyjore dhe të letrës në Australi dhe Zelandë të Re.

Pandemia, që i nxiti njerëzit të punonin nga shtëpia, çoi në rënien e mëtejshme të blerjes së gazetave, gjë që zvogëloi përsëri kërkesën për letër gazete dhe uli fitimet për furnizuesit e letrës. Në 24 muajt e fundit, fabrikat europiane janë përgjigjur duke mbyllur pothuajse një të pestën e kapacitetit të letrës për gazeta, thotë një blerës për një grup të madh gazetash britanike.

Pastaj ekonomitë u rihapën. Kërkesa për letër gazete u rrit sërish. Kjo dukuri, e kombinuar me kapacitetin tashmë shumë të reduktuar dhe rritjen e çmimeve të energjisë, ka rezultuar në një rritje të mprehtë çmimesh për gazetat. Tarifat shtesë të energjisë që po kërkojnë të imponojnë disa furnizues letre, kanë shkaktuar mjaft polemika. Kompanitë e gazetave mendojnë se kërkesa të tilla thyejnë rregullat e kontratave. Në tremujorin e parë të vitit 2022, gazetat europiane duhet të paguajnë çmime për letrën që janë 50-70% më të larta krahasuar me një vit më parë.

Për sa u përket homologëve të tyre në Azi dhe Oqeani, ato po përballen me çmime rreth 25% deri në 45% mbi nivelin e zakonshëm. Nation Media Group në Kenia po paguan rreth 840 dollarë për ton, krahasuar me 600 dollarë në të kaluarën, thotë Dorine Ogolo, menaxhere në firmë. Çmimet e Amerikës së Veriut u rritën më herët dhe më gradualisht; kontratat janë fikse mujore dhe jo gjashtëmujore. Por edhe atje, çmimet e letrës së gazetave janë 20-30% më të larta në vitin 2021, sesa në vitin 2020.

Shoqata gjermane e industrisë së shtypit dhe medias, ka paralajmëruar se fabrikat mund t’i shtrëngojnë gazetat të heqin dorë fare nga botimet në letër, duke dëmtuar kështu njëra-tjetrën. “Janë ulur të dyja në një degë”, deklaroi shoqata së fundmi. Por fabrikat e letrës mund të shesin paketime. “Nuk do ta shpëtojmë industrinë e botimeve duke qenë vetë jofitimprurës”, thotë drejtuesi i një fabrike letre në Amerikën e Veriut.

Për disa botues, rritja e çmimeve do të fshinte fitimet. Ata duhet të bëjnë një ristrukturim të mëtejshëm. Iwan Le Moine nga kompania EMGE, një konsulencë britanike për industrinë e letrës, në vitin 2022, parashikon një rritje të madhe të numrit të fabrikave të letrës që do të mbyllen, në krahasim me një vit të zakonshëm. Kjo do të ulë kërkesën dhe do ta orientojë përsëri tregun drejt ekuilibrit.

Por gazetat do të kenë ende fërkime me fabrikat e letrës dhe duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet mes tyre, thotë Douglas McCabe nga firma kërkimore Enders Analysis. Më shumë adrenalinë dixhitale është një kundërpërgjigje e mundshme ndaj agresivitetit të fabrikave të letrës.