Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka reaguar pasi Hashim Thaçi dha dorëheqjen si President i Kosovës. Haradinaj thotë se UÇK-ja ishte faktor uniteti në vitet e sakrificës dhe krenarisë për Kosovën.

Në rrethanat e reja të krijuara ai bën thirrje që të tregohet uniteti kombëtar ndërsa thotë se bashkëluftëtarët e tij si Thaçi dhe Veseli do të kenë përkrahjen e popullit dhe të qeverisë pa asnjë rezervë.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ishte faktor uniteti në vitet e krenarisë dhe sakrificës. Sot, të gjithë ne si popull, por edhe si liderë politik, duhet të tregojmë unitetin kombëtar, në rrethanat e reja të krijuara. Presidenti Thaçi, kryetari Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarët e mi, që po përballen me gjyqësinë ndërkombëtare, duhet të kenë përkrahjen tonë dhe të qeverisë së Kosovës, pa asnjë rezervë. Duke besuar fuqishëm se do të vërtetohet pafajësia e tyre, Republika e Kosovës do të tejkalojë faqebardhë edhe këtë sfidë”, shkruan Haradinaj në Facebook.