Në Wikileaks gjenden disa dokumente interesante të agjencisë së sigurisë dhe konsulencës globale, Stratfor, që njihet ndryshe edhe si “CIA hije” e Amerikës.

Mes këtyre dokumentave botuar nga media janë disa emaile për Shqipërinë të shkëmbyera në 21 janarin e vrasjes së protestuesve, mes një analisti të kësaj organizate dhe zv.presidentit të saj, Fred Burton.

E-mailet janë shkëmbyer mes tyre në 21 janar me pyetjen “çfarë dreqin po ndodh në Shqipëri

Analisti njofton se ka disa të vrarë dhe i shpjegon kolegut:

“Shoku, ky Berisha ishte president para anarkisë së vitit 1997 atje. Ai është don-i (shefi) i mafies shqiptare. Shqipëria, përgjithësisht është shtet pa rëndësi. Anarkia është gjithmonë shumë pranë atje”.

Një ditë më pas, në 22 janar, analisti informon sërish shefin e tij, duke i thënë se ai beson se situata do qetësohet me kalimin e ditëve.

Qendra kërkon informacion për ndikimin e Berishës në Kosovë e Maqedoni. Në këtë pikë analisti i Stratfor shkruan:

“Pavarësisht çfarë thotë, përgjithësisht Berisha nuk ka shumë rol në rajon. Ai shihet si model i liderit të vjetër. Por qartësisht, Kosova do të ketë gjithmonë nevojë për mbështetjen e kryeministrit në Tiranë dhe qeverisë atje. Shumë kosovarë mbajnë mend se Berisha i dha një mbështetje të vakët UÇK-së dhe besohet se ka përfituar personalisht duke lejuar ngarkesat me karburant në Serbi dhe Mal të Zi, duke thyer embargon në atë kohë.

Berisha shihet nga shumë shqiptarë si njeri me lidhje të ngushta me Serbinë – një nga kontaktet e tij të ngushta për disa kohë ishte Damir Fazlliç, një personazh me lidhje në nivelet e larta të qeverisë serbe. Berisha nuk mendohet se ka lidhje të forta në Maqedoni; ai e ka të kufizuar edhe ndikimin në Mal të Zi”.

Ndërsa i pyetur për Ramën, analisti raporton:

“Rama është i njohur si kokëfortë dhe deri diku si radikal mes komunitetit ndërkombëtar në Tiranë. Nuk është i mirë në dialog, krijon situata në të cilat asnjë palë nuk fiton. Pavarësisht këtyre dobësive, Rama përfaqëson liderin modern që shumë shqiptarë e kanë shpresuar që prej vitit 1990”.