Nga Edon QESARI

Hartat kanë zënë prej kohësh një vend të parapëlqyer për publikun e gjerë të rrjeteve sociale. Kjo vlen veçanërisht për hartat e karakterit politik; e akoma më shumë për hartat e karakterit etnik-historik.

Çdo postim i një të tille, veçanërisht kur vlen si pasqyrë në të cilën ky publik, apo një pjesë e tij, gjykon se gjen bindjet e veta, zgjon vëmendje dhe përfton pëlqime. Përkundër, kur harta bie në kundërshtim me bindjet e publikut, apo të një pjese të tij, veç vëmendjes ajo shkakton dhe kundërshti.

Në të dyja rastet, është shumë e mundur që një hartë të kthehet në arenën e përleshjes mes pëlqimeve dhe kundërshtive; zakonisht të ngjashme, këto e zbulojnë veten shpejt si parti pris që pak kanë të bëjnë me saktësinë apo pasaktësinë e hartës.

Kjo hartë më poshtë, për shembull.

E zbulova të botuar, në profilin e vet, nga një gazetar i njohur shqiptar; i cili vetë e kishte marrë nga një account me titull World GeoDemo, këtu në Facebook. Me të ngjashëm si ky i fundit, rrjeti është i tejmbushur, deri e përtej grykës, ku vërshojnë e derdhen krijues dhe përpilues modelesh hartografike (shpesh thjesht hagjiografike) nga më të ndryshmit.

Ngjashëm, me okë janë edhe komentet që pasojnë këto harta. Në to, komentues me origjina kombëtare nga më të ndryshmet rreken të tregojnë sa e saktë dhe e pasaktë është harta në përfaqësimin e kënvështrimeve përkatëse etnike apo kombëtare.

Në periudhën që jetojmë, atë të kryqëzimit dhe shumimit të sajimeve elektronike, të dy kategoritë e mësipërme – ndërtuesit fai-da-te të hartave, si dhe gjykuesit e këtyre përmes populizmave që pushtojnë rrjetin – e gjejnë me thjeshtësinë më të madhe: tjetrin dhe vetveten.

Hartat e Ballkanit, në veçanti, janë objekt vëzhgimesh nga më interesantet, pasi në çdo përballje që mund të vëresh, shpaloset në mënyrën më të dukshme forma mentis i secilës narrative nacionaliste.

Në këto postime, pothuajse gjithmonë, është më e lehtë të kundrosh bindjet e postuesit, se të shquash kriteret shkencore të hartimit. Si të thuash, gjen pjatën e gatshme në tavolinë – të gatshme për të marrë lëvdata apo mospëlqime, sipas rastit – por askush nuk të thotë gjë përbërësit e saj. Aq më pak për origjinën e këtyre të fundit.

Veç një mirëbesim miqësor ndaj kuzhinierit mund të ta heqë ndjesinë e të mos pasurit kurrfarë ideje se ç’ke në sofër dhe se ç’do të shtiesh në stomakun tënd.

Personi që i ka bërë share kësaj harte, për publikun e vet përgjithësisht shqiptar, mbase ka qenë i shtyrë nga një mirëbesim i tillë. Apo nga një afrimitet mendimesh – dhe synimesh hartografike – me botuesin e kësaj harte. Dhe kuptohet se përse.

Harta, si më poshtë, rreket të paraqesë gjendjen demografike të Ballkanit në fillim të shekullit XX. Për të interesuarit shqiptarë, ajo paraqet një situatë të shtrirjes gjeografike të kombit shqiptar jo larg ravijëzimit të njohur ndër hartat e ashtuquajtura të “Shqipërisë etnike” apo “Shqipërisë natyrale”.

Siç thashë edhe më lart, harta nuk jep gjurmë të dhënash prej të cilave autori të jetë nisur për ta “vizatuar” atë. Nuk dihet saktësisht se cilat janë burimet – që do të lypej të ishin me vlerë shkencore – të cilat e kanë shtyre autorin që një territor të caktuar t’ia japë një ngjyre etnike dhe jo një tjetre.

Për më tepër që, në fillim të shekullit XX, censuset ndërkombëtare mbi popullatat e një hapësire gjeografike – aq më shumë të një pjese “problematike” të Evropës, përsa i përket kërkesave të llojit nacionalist, si Ballkani – vështirë të ekzistonin. Shumë nga shtetet e Ballkanit, që ishin relativisht të rishtë për nga krijimi nëse i krahasojmë me ata të Evropës perëndimore, nxirrnin harta të përveçme, të cilat veç objektive nuk mund të ishin përderisa kriteri të cilit duhet t’i mbarështoheshin lidhej me politikat përkatëse shtetërore, ergo kombëtare.

Mors tua, vita mea! – tjetër s’mund të ishte parimi udhëheqës i hartimeve të tilla.

Këtë e di mirë edhe account-i prej nga është nxjerrë kjo hartë e mëposhtme, i cili, teksa komentuesit marrin flakë ndaj njëri-tjetrit, shton shumë shkurt, mes komenteve: “It is very plausible that the data may be inaccurate in some cases.” (Është shumë e mundur që në disa raste të dhënat të jenë të pasakta).

Ironike. Gati edhe cinike. Përveç se e paplotë. Pra, që ka gabim, ka; por se ku, gjejeni vetë. Diku atje.

Nuk duhet harruar pastaj se një hartë është, në fund të fundit, një model: pra një skicim i realitetit, ose i terrenit. Dhe një model, duke qenë se udhëhiqet nga nevoja për të përzgjedhur përbërës të realitetit (ca të dukshëm, të tjerë të padukshëm, ca të nevojshëm për arsye të modelimit, ca të panevojshëm), medoemos do lërë jashtë plot detaje.

Në njëfarë mënyre, modeli është gjithmonë i rremë. Ai e manipulon realitetin, me qëllimin për ta bërë atë më të qartë, duke hequr elementet që i gjykon të parëndësishëm. E në raste të tjera, duke shtuar elemente që, në synimin e modelit, duhet ta përmirësojnë realitetin.

Kësisoj, modeli kërkon të thjeshtëzojë, a të sjellë në letër, atë që terreni ka të ndërlikuar. Shpesh edhe të papranuar. Apo të papranueshëm.

Që do të thotë se një fshat, qoftë dhe i vogël, banorët e të cilit i përkasin etnisë A, vështirë se do të gjejë pasqyrim në një hartë rajonale ku pellgu në të cilin ai fshat gjendet i përket etnisë B. Të paktën nëse hartuesit i përkasin mbështetësve të arsyeve të etnisë B. Në rast të kundërt… ok, përfytyrojeni vetë: fshati do t’ia kish kaluar kodrës e do të kish marrë ngjyrat e maleve dhe detërave.

Detajime të tilla do ta koklavisnin tepër një hartë, qëllimi i të cilës është detyrimisht përgjithësimi, ose thjeshtëzimi.

Këto i di çdokush që merret me përpilim të dhënash prej të cilave do të rezultojë ndonjë hartë. Siç i di edhe kushdo që merret rregullisht me lexime hartash. Aq më tepër nëse është i mësuar me lexime hartash që kushedi se nga i kanë marrë të dhënat – apo që dihet fare mirë se këto të dhëna mund t’i kenë marrë nga vëzhgime mbi realitetin që janë të ndikuara fuqimisht prej politikave të kohës, rrethanave, kushtëzimeve dhe kufizimeve.

Porse këto një publiku të gjerë, i cili është në kërkim të një pohimi emotiv dhe irracional në gjërat që kërkon apo ndesh online, e jo fort i prirur drejt kureshtisë për të ndjekur argumentimin, shtjellimin e kujdesshëm dhe renditjen bibliografike që ka ndihmuar rezultatin e paraqitur – këtij publiku të gjerë kjo pak i intereson, për aq sa një postim i caktuar në rrjete sociale (vend i njohur për konfirmime, jo dyshime) i përforcon partizanizmin përkatës.

Shpejtësia për ta deklaruar të saktë apo të pasaktë një hartë, sipas midesë së paragjykimeve përzgjedhëse (selection bias), i shkon pastaj përshtat një tjetër shpejtësie: atë që të tilla harta i shoqëron me një tekst shumë të shkurtër, të gatshëm për t’u kafshuar dhe përtypur nga kush nuk çan shumë kryet që të merret me origjinën e ushqimit: mjafton që ky të jetë të jetë i servirur në një pjatancë të bukur.

Mjafton që të mos jetë i shoqëruar me një tekst të gjatë dhe të mërzitshëm, plot kërkesa për dhënie llogarie. Si ky i radhëve të kujt shkruan, bie fjala.