Me një natyrë që të merr frymën, mahnitëse, burime ujore të pafund dhe atraksione historike të lëna në harresë, fshati Madhesh i Matit të Qarkut të Dibrës ofron mundësi të pafundme investimi për të zhvilluar turizmin.

Aty banojnë rreth 180 familje në të tre lagjet e fshatit, teksa një pjesë e mirë e tyre është larguar që prej 20 vitesh sepse fshati është krejt i harruar nga institucionet shtetërore.

Aty nuk ka rrugë, nuk ka shkolla, nuk ka qendër shëndetësore, nuk ka patur transformator për të transmetuar energjinë elektrike e nuk ka as valë për të parë stacione televzive.

Në lagjen Gurë tashmë është ndërtuar një HEC i vogël, i cili ka krijuar problematika tek banorët duke iu pakësuar ujin e për rrjedhojë u janë tharë tokat.

“Për investime turistike nuk bëhet më fjalë”- thonë ata.

Por në vitin 2018-të Ministria e Energjetikës ka nënshkruar një kontratë me shoqërinë ARM Albania, e cila ka dalë fituese e tenderit të zhvilluar për të ndërtuar një HEC me fuqi të instaluar 930 KW në pellgun ujëmbledhës të lumit të Lunresë i cili derdhet në lumin e Shkopetit , Bashkia Mat, qarku Dibër.

Gjatë bisedës me banorët e zonës, të cilët kishin mbërritur edhe nga qytetet ku janë larguar për një protestë simbolike, ata u shprehën për gazetën “Si” se janë shumë të shqetësuar për lajmin se aty do të ketë një central që do ti shkatërrojë mbijetesën në shtëpitë e tyre.

Për ta uji është jetë dhe nëse u merr edhe atë “morëm fund”.

“Në 180 shtëpi që ka  Madheshi, ka pothuajse vetëm pleq. Nuk ka këmbë djali të ri. Janë zhvendosur për arsye shkollimi dhe jetese.  Shkolla më e afërt ka qenë ajo gërmadha atje, që shërbente edhe si dyqan”- më tregon me dorë Edi, një prej banorëve të fshatit që ende jeton aty.

Ai vetë thotë se e ka kryer shkollën në Ulzë 4,5 km larg prej aty. Për një fëmijë 10 vjeç, thotë ai, që shkon vetëm në shkollë, është e tmerrshme.

Dili jeton në Laç prej 20 vitesh. Nuk mund ta përballonte jetën pa një ambulancë, pa një shkollë për fëmijët e gjëra të tjera thelbësore si këto.

“Që këtu deri në Mal të Skënderbeut kanë qenë 80 shtëpi. Nuk ka pasur rrugë, janë mbi 120 burime uji, Ky burim merret tek toka ime. E kam me tapi. Jam shumë i indinjuar sepse nuk ka asnjë transparencë se çfarë bëhet. Nuk është ulur askush me ne se çfarë do të bëhet. Kam shkuar në Laç prej 20 vitesh se nuk jetohej këtu. Jemi 30 veta nga familja ime; vëllezër e motra me fëmijë me qira. Kam ikur për rrugë, shkollë e spital. Tani kanë mbetur 2-3 pleq në Lunre . Nuk jemi kundër zhvillimit të fshatit, por nuk ka transparencë.Nëqoftëse do të fitonte fshati nga ky zhvillim, do të ishim të lumtur, nëse do të jetë investimi për një grusht njerëzish dhe ne do të endeshim nëpër botë, kjo nuk ka kuptim.”- thotë Dilo që përtej maskës i shndrin rrudhat.

Ai tregon se nuk i ka pyetur askush për këtë projekt që do të ndërtohet në pronën e tyre private, “vetëm se na thonë që do të na marrin ujin për ta shfrytëzuar. Nuk jemi në dijeni për asgjë tjetër.”

Doda ka ardhur të protestojë sepse nuk arriti dot të shpëtojë lagjen e tij nga ndërtimi i një HEC-I të ngjashëm. Tani ai po vuan pasojat e tharjes së tokës që e mbante gjallë.

“Nuk kemi më ujë për të vaditur tokat. Tokat kanë dalë jashtë funksionit.”- thotë Doda.

Leka është  zhvendosur prej do vitesh në Mamurras. Këtu kalojnë verën gjithmonë.

“A jetohet në mal pa ambulancë, shkollë, dyqane. Këtu vijmë për peshk. Këtu është peshku. Nëse kjo bllokohet, nuk do të ketë shumëzim peshku dhe përfundon çdo gjë. Derisa të zihet Lunreja komplet, përfundon çdo gjë. Kemi folur, por nuk na japin shpjegim. Mbi 80 veta kemi nënshkruar peticionin dhe asgjë”.- thotë ai.

Xhovalin Gjergji është nga Madheshi. Ai jeton ende në fshatin e lindjes. Ai shpjegon se familja e tij është autoktone prej shekujsh dhe askush prej tyre nuk e ka lënë fshatin, vetëm kanë investuar.

Në pozicionin ku jemi, Xhovalini më tregon me dorë rrugën që ka ndërtuar me kontributin e tij dhe të fqinjve dhe makinën në oborr të shtëpisë. Investimi ka qenë 15 mijë euro, contribute vullnetare të banorëve, ashtu si për transformatorin e energjisë elektrike sepse një vit qëndruan në terr, në mungesë të plotë të energjisë.

“Nuk ka asgjë, çdo gjë e kemi bërë vetë. Janë zhvendosur të rijtë, për asrye emigracioni, prindërit janë këtu. Ka disa ditë që këta të HEC-it kanë hedhur disa dru ahu dhe nuk e di se cili supervisor nga ana teknike I ka lejuar se druri ahut nuk mban.I kontaktova dhe I këshillova ti presin sepse 5 muaj jetojnë, të paktën të bjerë këmba jo njeriu brenda. Kjo ishte nga eksperienca, Kam ndërtuar urat kur kam patur frimë ndërtimi, sigurisht me buxhetin e shtetit pasi kam fituar tenderin, kam kryer një investim të suksesshëm. Nuk pyeti njeri për to, u degraduan ndër vite, kanë vendosur dërrasa ahu. Kjo për ti mashtruar për HEC-in.”- thotë Xhovalin Gjergii.

Ai tani është pa punë për arsye politike, sipas tij. Ai ka punuar në elektrik dhe mban titullin mjeshtër. Ajo me çfarë jeton janë bagëtitë dhe toka.

“Nëse na merr ujin , nuk kemi me çfarë të vadisim tokat. Nuk kuptoj dot asgjë në sensin shtetëror. Si mund të shkelë ai në tokën private, kemi 2 mijë vjetë këtu. Ata mund ta ndërtojnë sepse janë të fortë, por nuk do ta gëzojnë, Do të luftojmë deri në fund edhe fziikisht, Përderisa shteti nuk na mbron, do të mbrohemi vetë. Në 2013-ën e kanë shpallur zonë të mbrojtur.”- shpjegon Gjergji.

Ai tregon se në këtë vend për dekada nuk ka investuar njeri. “Jemi të harruar, vijnë për fushatë , japin ndonjë thes miell. Unë dua të jetoj këtu. Edhe fëmijën që e kam student për juridik, nuk dua ta largoj. Nëse këtu vdes çdo gjë, fëmija nuk kthehet as për pushime.Unë den baba den nuk kam lëvizur, ja kulla e ndërtuar 1920. Kemi jetuar dhe do të jetojmë. Jam autokton, kjo është prona jonë. Jemi si në mesjetë; energjinë e përdorim vetëm për ndriçimin dhe televizor e frigorifer. Gatuajmë me drurë zjarri. Nuk ka valë për televizor e rrallë për telefon. Nuk është në interesin tonë HEC-i, nuk fitojmë gjë. Ky fshat të vetmin burim jete ka ujin. Nuk do të lejojmë të na i marrin jetën”- thotë ai.

Robert Shahini, biolog shpjegon për gazetën “Si” se ndërtimi i HEC-it në lumin e Lunresë do të shkatërronte ekosistemin; florën dhe faunën që ndodhen aty, veçanërisht shumëzimin e troftës dhe do të vdiste përgjithmonë mundësinë e investimeve për turizëm.

Banorët thonë se Madheshi është shpallur në 2013-ën Zonë e Mbrojtur dhe  është pjesë e 100 fshatrave, por që deri tani nuk ka investuar kush për turizëm.

“Ne kemi disa atraksione historike për turizëm që nuk I ka konsideruar njeri deri më tani që ti promovojë. Kisha e Shën Gjergjit 800 vjeçare që nuk është marrë njeri me të as për të bërë kërkime, Shën Barbla të njëjtën periudhë me Kishën e Shën Nanoit në Laç. Kjo si zonë në kohë të turkut ka qenë me u strehu sepse nuk kishte rrugë. Vinte deri në Burrel dhe ndalonte. Zona ka Malin e Trovës- 1250 m lartësi për hiking, Mali I Skënderbeut histori, mullinj të vjetër me ujë. Ky lum ka 4 mullinj uji të vjetër. Kanë nisur investimet private në disa restorante për të ofruar kulinarinë e zonës. Këtu vijnë peshkojnë, ka 45 vite që peshkojnë nga gjithë Shqipëria. Peshkimi mund të shihet edhe si atraksion, por edhe si mënyrë jetese për banorët e zonës, dhe të atyre që kanë ende shtëpitë, por janë larguar. Edhe këta të fundit për tu ushqyer vijnë peshkojnë dhe kalojnë stinën e verës këtu. Kanë pronën e tyre. Turizëm të mirëfilltë si Valbona dhe Thethi nuk ka sepse nuk ka invetsime. Kur na merr ujin, na merr jetën, çfarë mund të bëhet këtu?”- thotë Edi, një nga banorët e zonës që po angazhohet shumë me çështjen e HEC-it duke e kundërshtuar atë.

Nga ana ligjore çështja nuk ka avancuar shumë sepse institucionet shtetërore, siç tregon avokatja e çështjes Dorina Ndreka, nga Klinikat e ligjit të OSFA, tregojnë rezistencë në dhënien e dokumentacionit të kërkuar.

“Në këto dokumente që disponojmë deri tani ka dy shkelje ligjore; zhvillimi i konsultimeve publike në kohë pandemie, 8 prill kur ishte e ndaluar të kishte grumbullime, është flagrante. Së dyti vetë në VNM është raportuar që është rekomanduar studimi i thelluar mjedisor për shkak të ndikimit shumë të madh që do të ketë projekti në biodiversitet dhe në mjedis. Pavarësisht kësaj, agjencia Kombëtare e Mjedisit e ka marrë miratimin me raport paraprak. Është një studim shumë më pjesor dhe sipërfaqësor që nuk duhet të miratohej me këtë raport sepse një raport i thelluar do të nxirrte që ndikimi i këtij HEC-i në mjedis është shumë i madh. Por kjo nuk ka ndodhur, për shkelje të tjera nuk mund të hamendësojmë pa patur në dispozicion të gjithë dokumentacionin.  Këto janë të evidentuara. Për sa kohë të dyja do të sillnin ndryshim në raportin përfundimtar, ne vërtetojmë që do të kishet ndikime të mëdha ku banorët do të ishin kundra. Konsultimet me publikun janë shumë të rëndësishme, të cilat nuk janë zhvilluar fare. Kjo do të prodhonte një akt tjetër të ndryshëm dhe jo miratimin.”- shpjegon  Meqënëse leja e ndërtimit nuk është miratuar ende, avokatja Ndreka thotë se u ka sugjeruar banorëve të nënshkruajnë një peticion Këshillit Kombëtar të Territorit  dhe “kemi shpresë që çështja të zgjidhet në favor të banorëve dhe mjedisit. Pas grumbullimin e dokumentacionit do ti drejtohemi Gjykatës Administrative për të kërkuar pavlefshmërinë e vlerëismit të ndikimit në mjedis që është dokumenti kryesor për këto projkete dhe legjitimon ankimet e banorëve.”- përfundon ajo.