Pas disa ditësh luftë me klubin, Lionel Mesi vendosi të qëndrojë te Barcelona dhe sot është bashkuar me skuadrën në stërvitje. Gjithsesi, është fakt tashmë që dëshira e tij është të largohet. Hugo Sançez, një nga lojtarët më të lavdishëm të Real Madrid, është i bindur se ambienti përreth i ka dhënë yllit argjentinas vetëm këshilla të këqija.

“Mesi nuk ka pasur zgjidhje tjetër përveç se të qëndronte te Barcelona për shkak të këshillave të këqija të babait të tij dhe studios ligjore. Duhej ta kishin evituar atë burofax, që shkaktoi një dëm në imazhin e tij dhe brenda skuadrës”, – thotë fillimisht meksikani.

Hugo Sançez, ish-sulmuesi i njohur meksikan i Real Madrid. Gazeta Si, 7 shtator 2020

“Tani nuk ka çfarë të bëjë, le të pijë çaj me hudhër dhe ujë në këto 11 muaj, le të pirdhet deri sa të vijë koha që të dalë i lirë dhe të shkojë”, – ka shtuar Sançez për “ESPN”. Në fund ai shton se nuk do të kishte asnjë klub që do ta paguante klauzolën e 700 milionë eurove për prishjen e kontratës. Ish-sulmuesi mendon se konflikti nuk do të kishte ndodhur, nëse do ta kishte dërguar burofax-in para 10 qershorit, që ishte afati i fundit për të komunikuar vendimin për t’u larguar.

“Ato para do të ishin kursyer, duke dërguar vendimin në kohë dhe kështu do ta linte Barcelonën pa paguar asnjë euro”, – përfundon Hugo Sançez, një nga lojtarët më të njohur të viteve ’80.