Viti 2020 mbyllet pas më pak se 48 orëve dhe në Serie A është hartuar edhe formacioni më i mirë i këtij edicioni sipas të dhënave të OPTA. Kompania e famshme e mbledhjes së statistikave ka arritur të ndërtojë një 11-she të frikshme, të bazuar në të dhënat e regjistruara nga të gjithë lojtarët gjatë këtij viti kalendarik.

Në portë është gardiani i Veronës, Marco Silvestri, i cili ka arritur statistika më të mira se të gjithë kolegët e Serie A, i ndihmuar edhe nga mbrojtja solide para tij. Në qendër të difensivës është Matthijs De Ligt i kampionëve të Juventus dhe Francesco Acerbi i Lazios.

Në krahun e djathtë është një tjetër juventin, kolumbiani Juan Cuadrado. Në të majtë është ylli i Milanit, Theo Hernandez. Mesfusha ka edhe dy kuqezinj të tjerë. Hakan Calhanoglu dhe Franck Kessie janë zgjedhur nga OPTA në këtë formacion, teksa ata të dy shoqërohen nga Rodrdigo De Paul i Udinese.

Nuk mbetet pa përfaqësues as Atalanta në këtë formacion. Ylli argjentinas, Papu Gomez ka merituar një vend në 11-shen më të mirë, teksa në sulm ai shoqërohet nga Romelu Lukaku i Interit dhe 5 herë fituesi i Topit të Artë, Cristiano Ronaldo.