Krenaria e Lacios frenon Interin. Zikaltrit nuk ia kanë dalë të marrin 3 pikët në “Olimpico”, ku kaluan të parët në avantazh dhe më pas kishin disa mundësi të tjera për të dyfishuar, por dështuan. Lautaro Martinez mposhti Strakoshën me një gjuajtje brenda zonës në pjesën e parë, në të dytën barazoi Milinkoviç-Saviç me kokë.

Ishte më mirë Lacio gjatë 30 minutave të para, por në gabimin e parë në mbrojtje skuadra e Inzagit u ndëshkua nga argjentinasi i Interit. Lukaku shpërdoroi një rast për 2-0 në fillim të pjesës së dytë dhe dukej se Interi e kishte lojën nën kontroll, por situata ndryshoi. Pas një krosi nga e majta, Milinkoviç-Saviç barazoi, duke gjuajtur saktë me kokë, pasi fitoi dyluftimin me Perisiç.

Milinkoviç-Saviç barazon rezultatin

Lacio mbeti me 10 vetë, pasi Imobile u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 69-të, sepse reagoi me një gjest antisportiv ndaj Vidalit. Brozoviç ishte pa fat, teksa goditi shtyllën, ndërsa në fund edhe një karton i kuq për Sensin, i cili bëri të njëjtin gjest si Imobile. Pas tri ndeshjesh, Interin mban vendin e tretë me 7 pikë, kurse Lacio ka 4 pikë dhe e sheh veten në vend të 9-të. Lacio u detyrua të bënte dy zëvendësime që në pjesën e parë, pas dëmtimeve të Radu dhe Marusiç.

Tomas Strakosha u vlerësua me notën 6 për paraqitjen ndaj Interit. Edhe ai kishte pak faj në rastin e golit të Interit, sepse gjuajtja e Lautaro Martinezit nuk ishte shumë e fortë, edhe pse ishte shumë afër.