Kristjan Mëhilli, 27 vjeç me origjinë shqiptare është arratisur nga një burg në Itali. Mediat vendase bëjnë me dije se Mëhilli ka arritur që të largohet nga burgu në prag të Vitit të Ri.

Ai ka arritur që të zbresë me çarçafë nga kati i katërt, aty ku kishte qelinë. Ai si fillim kishte arritur që të priste hekurat e dritares dhe më pas kishte krijuar një litar me çarçafë.

Pas alarmit për arratisjen e tij nga burgu, forca të shumta policie janë organizuar dhe kanë zhvilluar kërkime, por nuk kanë arritur që ta gjejnë.

Por kush është Kristjan Mëhilli?

27-vjeçari njihet si anëtari i bandës“Ice Eyes”dhe është arrestuar në Maj të vitit 2019 dhe mediat në vend i kanë vendosur epitetin “i rrezikshmi dhe i paskrupullt”. Mëhilli ishte pjesë e një bande që kryente grabitje në vila në zonat Alessandria, Casalese dhe Vercelli. Shqiptari ishte dënuar me 10 vite burgim dhe do duhej të ishte në qeli deri në vitin 2029.

Mëhilli në vitin 2019 ka rënë në pranga së bashku me Çesk Thanin, Augustin Pjetergjokaj dhe Kristjan Keci. Të katërt njiheshin si të dhunshëm, pasi në disa raste kishin terrorizuar pronarët e vilave kur ata kishin bërë rezistencë.

Mbi Mëhillin rëndojnë disa akuza, si vjedhje, plagosje, grup kriminal dhe armëmbajtje pa leje.