Tre personat e arrestuar për sekuestrimin e 119 kilogramëve kokainë janë lënë në burg. Gjykata ka vendosur sot masën e sigurisë ‘arrest në burg’ për Marson Murataj, Gëzim Kalaja dhe Hasan Salihu.

Droga u gjet në një kontejner me banane të nisur nga Amerika Latine dhe që kishte kaluar transit në portin e Goia Tauro në Itali. Autoritetet doganore në vendin fqinj kanë konstatuar se kontejnerit i mungonte plumbçja apo vula. Për këtë arsye kanë ushtruar kontroll dhe kanë vënë re mungesë të arkave me banane.

Kontejneri ka mbërritur në portin e Durrësit dhe pas zhdoganimit dhe kontrollit në skaner ka rezultuar i pastër dhe ka dalë nga porti, me destinacion magazinat e firmës në periferi të Tiranës.

Por në afërsi të fshatit Romanat në rrugën nacionale Durrës-Tiranë kamioni është ndaluar nga 3 persona ende të paidentifikuar, të cilët për disa minuta kanë ushtruar kontroll në kamion dhe në kontejner dhe më pas janë larguar me shpejtësi.

E paqartë mbetet se pse personat që ndaluan kontejnerin nuk kishin informacion të saktë se ku fshihej droga. Për shkak të peshës totale të deklaruar në dokumentacion, dyshohet se sasia e kokainës që është marrë në Itali, të jetë e konsiderueshme.

Policia thotë se vijon punën për të gjetur porositësit e drogës dhe personat që ndaluan dhe kontrolluan kontejnerin në mes të rrugës.