Zbulimi i 119 kilogramëve kokaine të gjetur sërish në një kamion me banane nga Ekuadori, ishte një nga ngjarjet më të bujshme të kronikës në orët e fundit të vitit 2021.

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Hasan Salihun, Gazim Kalanë dhe Marson Muratajn, të arrestuar lidhur me sasinë e 119 kg kokainës nga Ekuadori.

Tre të arrestuarit kanë mbajtur qëndrim mohues, duke pretenduar se nuk kanë asnjë lidhje me kokainën.

Ndërkohë, A2 CNN zbulon edhe deklaratat e bëra autoriteteve nga shoferi i kamionit në fjalë, Hasan Saliut.

Salihu tregon se si mbrëmjen e 28 dhjetorit, pasi ka marrë kontejnerin me banane në Romanat e kanë ndaluar 4 persona, që i janë prezantuar si “shteti”, një nga të cilët e ka kërcënuar dhe tre të tjerët i kanë kontrolluar ngarkesën.

“Kam hapur krahun në hyrje të një karburanti dhe po rrija me njërin nga këta persona, që po më thoshte, mbylle gojën se do të zhduk familjen po e hape, ndërkohë që tre persona të tjera kishin shkuar në pjesën fundore të kontejnerit ku kanë ndenjur rreth 30 minuta duke e kontrolluar”.

Sipas shoferit të arrestuar, më pas ka zbritur edhe personi që ndodhej në kabinë dhe 4 personat bashkë janë larguar në drejtim të rrugës nacionale për Durrës.

Burimi: A2CNN