Sulmuesi suedez i Milanit, Zllatan Ibrahimoviç, në një intervistë për “7”, ka folur për të gjitha temat, titullin në Serinë A, Championsin, deri kur do të luajë, familjen dhe gjithçka tjetër. Për momentin veterani është i dëmtuar në pulpë dhe po i mungon skuadrës.

Për shanset e titullit, Ibrahimoviç ka thënë: “Milani duhet të ketë kurajë dhe duhet të ëndërrojë. Unë them se mund dhe duam të bëjmë diçka më shumë. Tani duhet të fillojmë mirë vitin 2021 dhe të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje, si të ishte e fundit. Duhet të kemi uri çdo ditë dhe në çdo moment”.

Zllatan Ibrahimoviç. Gazeta Si, 24 dhjetor 2020

Zllatani është një pikë referimi për të gjithë në skuadër. “A nervozohem kur një shok skuadre humb topin? Po, gjithmonë, edhe në stërvitje. Problem është ai që nuk nervozohet. A bëj gabime edhe unë? Jo, nuk gaboj kurrë. Duhet punuar shumë dhe duhet sakrifikuar. Sa më shumë stërvitem, aq më mirë ndihem”, – ka shtuar sulmuesi.

Më pas e ardhmja: “Deri kur mund të luaj? Këtë pyetje ma bëjnë të gjithë dhe përgjigja ime është e njëjtë: do të vazhdoj deri sa të mundem. Kujt nuk do t’i përlqente të luante në Champions… Nëse do të qëndroj, do luaj në këtë kompeticion”, – thekson Ibrahimoviç.

Pastaj familja: “Më mungon shumë familja, që jeton në Suedi. Më mungon shumë, dua të rri me bashkëshorten dhe dy fëmijët, Maximilian e Vincent, që janë 14 dhe 13 vjeç. Pioli më ka thënë se nuk mund të shkoj pranë familjes dhe se kam familje edhe në Milanelo. Ai thotë se në Suedi kam 2 fëmijë, kurse këtu kam 25 që kanë nevojë për mua”.