Arqipeshkvi i Metropolit të Tiranës e Durrësit, Imzot George Frendo, ka uruar Pashkët për të gjithë besimtarët katolikë, duke theksuar se në këto kohë pandemie duhet të jemi më të bashkuar.

Gjatë fjalës së tij, ai u ka bërë thirrje të gjithë politikanëve në këtë kohë fushate që të mos përdornin një fjalor që krijon përçarje.

Imzot Frendo thekson se të gjithë duhet të jenë të bashkuar për një Shqipëri më të mirë, për të mirën e përbashkët se sa të mirën e partisë apo atë personale.

“Ju lutem mos përdorni një fjalor që mund të bëhet rast përçarjeje mes nesh. Jeni të gjithë një popull, jeni të gjithë shqiptarë para se të jeni parti të ndryshme. Kërkoni më shumë atë që ju bashkon. Kërkoni më shumë të mirën e përbashkët, më shumë se sa të mirën e partisë ose të mirën personale”, u shpreh ai.