Nga Kastriot KOTONI

Ai as më kërkoi t’i shikoja seç kishte në celular, as sytë nuk mi lidhi me shami që të mos shikoja, vetëm në të qindën e sekondës nisi të më lexojë në shqip një tregim sipas programit të instaluar në celular. Çfarë t’i thosha, pse sot në Ditën Ndërkombëtare të Librit e gjete të më tregosh këtë shpikje? Rehatova veshët për të dëgjuar mikun që nuk ngopej së lexuari nga lumi i inteligjencës artificiale dhe nuk më bindte se kishte vërtet një shkrim që të ngjallte shije. I drurosur me nxitimin që po m’i acaronte nervat kjo histori. Nisa të belbëzoj fjalë kot pa lidhje që pa vetëdije shkonin drejt një të folure me romuze të tipit “qeni qepën ta hajë”, ose “kupa me kapak kupa pa kapak”, ose “të qafsha moj shegë”, për këto fjal e mijra si këto thashë se kësaj xhepaneje, “që na more ti ç’e ka emrin do thoshte “Jovan Bregu i Pallatit 176”?

Inteligjencë artificiale “të hëngsha hallvën!” – do përgjigjej në krahun tjetër çdo lexues i cili sikur të ketë lexuar qoftë edhe një faqe libri, e jo më gjithë ato breza që ende besojnë tek forca e librit, si dije, dhe shije estetike, plotësim apo mbushje shpirtërore. “Të rrimë tani e të programojmë “Fjalët e qiririt”, “Sikur të isha djalë”, “Gomarin e Baba Tasit”, Çajupin me poezinë e kandarit, Migjenin, Mitrushin, Lasgushin, me kryeveprat e tyre të viteve 30-44. Po mirë ore shqiptarë ju që e keni të lidhur fatin e kombit tuaj me shkrimin shqip, kaq shpejt u ngopët së lexuari libra, kur nuk keni as 110 vjet që nga festa e Manastirit kur pagëzonit gërmat shqipe? Më quaj si të duash ti o qytetari perëndimor, ja që nuk dua sa të jem gjallë të ndjek integrimin evropian me inteligjencë artificiale…

Po pse edhe këtu në këtë hapësirë kaq të vogël sa është letërsia e gjete të futesh? A e di se po i jepni kazus një idiotësie në mbështetje të dy teorive që nesër do të krijojnë kulturën e harresës dhe, në emër të teknologjisë, do t’i faleni (mos e dhëntë Zoti!) njeriut robot?