Christian Eriksen u transferua gjatë sezonit dimëror të kaluar nga Interi, por nga blerja më prestigjioze e klubit zikaltër u shndërrua që në fillim në një objekt misterioz, i destinuar nga trajneri Antonio Conte më së shumti në stol, si zgjedhja e fundit e mundshme.

Fillimisht drejtuesit e ekipit milanez ia vunë fajin një mungesë ambientimi fillestare që do të kalonte me kohën, por në sezonin e ri u duk qartë që mesfushori me tipare sulmuese që kishte mahnitur në Premier League me Tottenham nuk ishte aspak në planet e së ardhmes interiste.

Këtë fakt e zyrtarizoi para ndeshjes së fundit me Veronën edhe administratori i deleguar Giuseppe Marotta, që pati fjalë të qarta për Eriksen. “Ka lojtarë që duan të luajnë më shumë diku tjetër dhe ne do mundohemi t’i kënaqim. Eriksen është mes tyre, dhe nuk është aspak një ndëshkim. Ai ka pasur vështirësi në përshtatje, nuk është funksional, ky është fakt. Është e drejtë t’i jepet mundësi të luajë diku tjetër”, deklaroi Marotta.

Diçka jo e lehtë për t’u realizuar, për një lojtar që merr rreth 7 milionë euro në vit.

Edhe trajneri Conte pas ndeshjes la të kuptohej se bashkë me klubin kanë vendosur të shesin danezin, për ta afruar një tjetër futbollist në mesin e fushës, ndonëse u tregua i rezervuar të përmendë emra.

“Unë nuk favorizoj asnjë prej futbollistëve, por vendimet se kush do të luajë e kush jo, i marr vetëm në të mirë të klubit. Bashkë me drejtuesit kemi bërë vlerësimet tona dhe sigurisht që në fund kemi marrë një vendim të përbashkët, të cilin ia paraqesim shoqërisë, pasi në fund është ajo që vendos. Edhe këtë herë kemi bërë vlerësimet tona në tërësi dhe presim që shoqëria të na mbështesë”, tha Conte.