Karabinierët e mbyllën punën e tyre të mërkurën rreth orës 17:30, duke u larguar me disa gjurmë të marra nga apartamenti fiorentin në rrugën Fontana, aty ku bashkëshortët Shpëtim dhe Teuta Pasho dyshohet se kaluan natën e tyre të fundit të jetës, me gjasë të 1 Nëntorit 2015. Pikërisht tek ky apartament dhe tek gjurmët që hetuesit mund të kenë përfituar, mund të hapet një fazë e re e hetimeve për vrasjen makabre të bashkëshortëve shqiptarë.

Prej së martës, ish-e fejuara e djalit të tyre, Elona Kalesha qëndron pas hekurave, e akuzuar për vrasjen e Pashove.

Hetuesit janë gjithnjë e më të bindur se 36-vjeçarja e kishte planifikuar vrasjen e bashkëshortëve. Dyshimet janë se ajo donte t’u merrte atyre paratë që kishin, e përzier edhe me ndjenjën e inatit që kishte ndaj nënës së Taulantit, e cila duket se nuk e kishte shumë me sy të mirë Elonën. Bazuar në hetimet e deritanishme të autoriteteve italiane, mediat atje shkruajnë se përveç zënkave të brendshme që kishte në familjen Pasho, ajo që bie në sy është fakti që Teuta ishte gati që t’i jepte një farë ultimatumi të birit, “O ajo, o ne”.

Megjithatë kjo përballje mes nënë e bir duket se nuk ndodhi, pasi çifti rezulton i vrarë përpara se i biri të dilte nga burgu, ku qëndronte për shpërndarje droge. Vrasja ndodhi pikërisht në kohën kur ai do të fitonte lirinë.

Burrë e grua, të veshur me pizhame, me gjasë ishin në gjumë. Copëtimi i trupit të tyre ndodhi disa ditë më pas. Fqinjë të 36-vjeçares në Novoli, kujtojnë se në atë kohë kishin ndjerë një erë të keqe që vinte nga banesa e marrë me qira nga shqiptarja, si dhe njolla të ngjashme me shenjat e gjakut, në korridor.

Elona Kalesha do të njihet këtë të enjte me masën e sigurisë. Ajo pritet që të lihet në qeli.

Ndërkohë, misteri i valixheve nuk është zbardhur ende. A pati Elona bashkëpunëtor? Përpara se të hidheshin në fushën pranë autostradës, a ishin fshehur valixhet dikur tjetër? Këto janë të gjitha pyetje të cilat pritet ende të marrin përgjigje.