Interi vijon punën për përforcimin e organikës për sezonin e ardhshëm dhe ashtu siç është rënë dakord me trajnerin Antonio Conte, në skuadër pritet të shtohen ndjeshëm futbollistët me eksperiencë.

Zikaltrit nisin zyrtarisht nesër përgatitjet për sezonin e ri dhe brenda javës së ardhshme në dispozicion të trajnerit Antonio Conte pritet të vihen tre futbollistë me eksperiencë si në Itali, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Kështu i pari është serbi Aleksandar Kolarov, me të cilin zikaltrit kanë arritur marrëveshjen për një kontratë një vjeçare me opsion zgjatjen edhe për një sezon të dytë dhe me pagë 3.5 milionë euro në vit.

Nga ana tjetër, drejtuesit e Interit kanë arritur marrëveshjen edhe me klubin e Romës, që do t’i paguajnë 1.5 milionë euro për kartonin e serbit dhe ky i fundit do të vihet nën urdhrat e Contes brenda ditës së martë.

Vidal

Po ashtu gjatë javës Conte do të ketë më në fund në dispozicion të tij edhe mesfushorin kilen Arturo Vidal, të cilin e ka kërkuar që ditën e parë që shkeli në Milano, pasi bashkë kanë punuar me shumë sukses edhe te Juventusi.

Mesfushori kilen është jashtë planeve të trajnerit të ri të Barcelonës, Ronald Koeman dhe po stërvitet veçmas, në pritje që menaxheri i tij Felichevich të gjejë akordin me katalanët për prishjen e parakohshme të kontratës që skadon verën e ardhshme.

Sipas mediave spanjolle palët kanë rënë dakord në parim, që Vidal të marrë vetëm bonuset e parashikuara në kontratë dhe të heqë dorë nga viti i fundit i saj, ndërsa më pas do të fluturojë drejt Milanos, për të nënshkruar për dy sezone me Interin.

Një tjetër emër që pritet t’u bashkohet zikaltërve këto ditë, është edhe italiani Matteo Darmian, i cili iu bashkua Parmës një vit më parë, pasi la Manchester United. Siç edhe e pranoi drejtori sportiv i Parmës, Carli, ka një marrëveshje mes klubeve, që parashikon kalimin e Darmian në Milano këtë sezon merkatoje.

Tani gjithçka është në dorë të zikaltërve, të cilët do të afrojnë mbrojtësin në Milano, nëse largohet Candreva. Darmian mund të luajë si mbrojtës anësor në rreshtimin me tre, por edhe si mesfushor në të njëjtën skemë, ndaj shihet si një element i vlefshëm.

N’Golo Kante

Megjithatë objektivi i madh i merkatos zikaltër është mesfushori francez N’Golo Kante, kartoni i të cilit kushton rreth 50 milionë euro, por në këtë rast Marotta dhe Ausilio kanë në plan një tjetër strategji.

Kështu drejtuesit e Interit fillimisht duhet të mbyllin operacionet në dalje, për të larguar emra si Brozovic, Vecino, Gagliardini, Joao Mario, Nainggolan dhe ndoshta edhe Eriksen, para se të provojë goditjen e madhe.

Me kalimin e kohës zikaltrit do të provojnë të ulin edhe pretendimet e Chelseat për francezin, pasi londinezët kanë bërë investime të shumta këtë verë dhe kanë nevojë të shesin para se të nisë sezoni i ri.