Javier Solana*

Shumica e lexuesve do të kujtojnë entuziazmin e përhapur me të cilin pritëm  ardhjen e shekullit 21. Ishte një kohë shpresash të mëdha, editorialesh fjalëmëdha dhe guximesh jo të shtirur,  nga ana e Perëndimit.

Megjithatë, me një pulitje sysh (në kuptimin historik), fryma e kohës ndryshoi  rrënjësisht – edhe para se të godiste pandemia e covid-19. Për pjesën më të madhe të botës, ky shekull ka qenë një periudhë frustrimi dhe zhgënjimi. Tani shumë e shohin  të ardhmen jo me besim, por me frikë.

Dy dekada më parë, përgjigjja e gatshme për çdo politikë dhe pyetje strategjike ishte më shumë globalizim. Por ndërsa ky ishte një qëllim i ligjshëm dhe i lavdërueshëm, ne nuk arritëm të ndërtonim masat e nevojshme mbrojtëse.

Fatkeqësi të tilla si Recesioni i Madh pas 2008-s dhe pandemia aktuale kanë treguar se ndërvarësia më e madhe nënkupton rrezik më të madh të infektimit, qoftë financiar apo viral.

Për më tepër, specializimi dhe hiper-efikasiteti mund të jenë burime të cenueshmërisë, siç kanë treguar përçarjet  e këtij viti në zinxhirin e furnizimit. Dhe, natyrisht, pasojat politike të offshoring, fatkeqësisht u nënvlerësuan.

Në vitin 2000, kur fushata e parë presidenciale e Donald Trump (me Partinë e Reformës) dështoi, pak do të kishin menduar se ai do të rishfaqej më 2016-n për të marrë frenat e Partisë Republikane, ta kthente atë kundër tregtisë së lirë dhe përfundimisht të fitonte presidencën.

Papritmas, ky paralajmërim kryesisht i anashkaluar  nga “Pasuria e Kombeve” e Adam Smithit tingëlloi më parashikues: “Secili komb është bërë që të shikojë me një sy ziliqar prosperitetin e të gjitha kombeve me të cilat tregton dhe,  ta konsiderojë fitimin e tyre si humbjen e vet”.

Në ndërrim të shekujve, Shtetet e Bashkuara nuk dukeshin si një vend i prirë t’i nënshtrohej zilisë dhe pasigurisë. Sulmet terroriste të 11 shtatorit, të cilat theksuan potencialin shkatërrues të aktorëve jo-shtetërorë dhe i dhanë fund epokës së artë të hegjemonisë amerikane, ishin akoma disa muaj larg.

Pa dijeni për konvulsionet gjeopolitike që do të vinin, presidenti i sapozgjedhur i ShBA-së George W. Bush grumbulloi lëvdata ndaj homologut të tij rus, Vladimir Putin.

Në atë kohë, Rusia ishte një anëtare e përkushtuar e G8, Koreja e Veriut ende aderonte zyrtarisht në Traktatin e Mospërhapjes Bërthamore dhe aktivitetet bërthamore klandestine të Iranit nuk ishin shfaqur ende.

Kina, ekonomia e së cilës ishte vite dritë prapa asaj të ShBA-së, nuk u bashkua me Organizatën Botërore të Tregtisë deri në fund të vitit 2001.

Që atëherë, bota ka pësuar rikonfigurime të thella, të cilat kanë lënë gjurmë fizike. Në vitin 2001, ShBA  përbënin 23% të emisioneve globale të dioksidit të karbonit, ndërsa Kina ishte përgjegjëse për 13%.

Por dy emetuesit më të mëdhenj ndërruan vendet qysh në vitin 2006. Sipas të dhënave më të fundit, ShBA  prodhon 15% të emisioneve totale dhe Kina 28% (megjithëse emetimet e Kinës për frymë mbeten shumë më poshtë se ato të ShBA-së).

Ndërsa emetimet vjetore të CO2 të njerëzimit kanë vazhduar tendencën drejt rritjes ( mënjanë rënieve  të shkurtra të shkaktuara nga kriza), zona e mbuluar nga akulli i Arktikut në verë është ulur me gati gjysmën,  që nga viti 2001. Ndryshimi i klimës është tani një realitet i prekshëm, dhe brezi i parë aktiv politik i lindur në shekullin 21 po kërkon zgjidhje urgjente.

Gjatë 20 viteve të fundit, ka pasur gjithashtu një revolucion të paparë në mënyrën se si ne lidhemi me të tjerët. Interneti është bërë i kudondodhur  dhe rrjetet sociale janë bërë agora e kohës sonë. Pavarësisht se nuk dha frytet e pritshme, Pranvera Arabe e fillimit të viteve 2010 zbuloi potencialin demokratizues të këtyre teknologjive të reja.

Por tani e dimë që instrumentet dixhitalë nuk janë pa  efekte të dëmshme. Algoritmet maksimizuese të fitimit kanë ndihmuar në krijimin e hapësirave jehuese, duke varfëruar rëndë debatin publik.

Dhe sfera dixhitale është bërë tokë pjellore për lojtarët subversivë të specializuar në “luftën hibride”, përfshirë sulmet kibernetike dhe fushatat e dizinformimit në shkallë të gjerë.

Europa ka vuajtur nga ana e errët e dixhitalizimit, po aq sa kushdo tjetër. Populizmi nativist ka dalë në pah vitet e fundit dhe polarizimi ka helmuar shoqëritë tona.

Optimizmi i fillimit të shekullit – reflektuar në futjen fizike të euros në 2002-shin dhe zgjerimin e Bashkimit Europian me dhjetë vende në 2004 – i la vendin një gjendje të jashtëzakonshme gati të përhershme, nga krizat e euros dhe refugjatëve te Brexit, e cila shënon herën e parë që një shtet anëtar largohet nga BE.

Ndarjet janë bërë më të mprehta pikërisht kur duhet të qëndrojmë më pranë, duke pasur parasysh ribalancimin e vazhdueshëm të fuqisë ekonomike dhe gjeopolitike nga Atlantiku në Paqësor.

Por nuk duhet të lejojmë që shqetësimi që është përhapur nëpër shumë vende të errësojë piketat e arritura kolektivisht. Midis 2001 dhe 2019, jetëgjatësia mesatare u rrit nga 67 në 73 vjet në mbarë botën dhe nga 53 në 63,  në Afrikë.

Ndërkohë, prania e grave në pozicionet e pushtetit është rritur në mënyrë të konsiderueshme  dhe në vitin 2019 kemi arritur një (ende shumë e  pamjaftueshme) majë të 19 grave kryetare të qeverive në të gjithë botën.

Për më tepër, pasi presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden të marrë detyrën në janar, çdo vend në botë do të mbështesë edhe një herë marrëveshjen e klimës në Paris.

Dhe nga ana e saj, BE ka kapërcyer sistematikisht vështirësitë, me më shumë integrim. Një fond i ri për rimëkëmbjen covid-19 do të financohet përmes borxhit të përbashkët dhe do të shpërndahet pjesërisht,  në formën e granteve.

Reflektimi mbi skenarët kundërfaktualë mund të na ndihmojë të zgjerojmë dhe përmirësojmë perspektivën tonë. Për shembull, si do të ishte rimëkëmbur ekonomia globale nga Recesioni i Madh pa stimulimin e siguruar nga Kina, ku industrializimi i shpejtë ka nxjerrë qindra miliona njerëz nga varfëria?

Dhe çfarë do të kishte ndodhur nëse pandemia aktuale do të na kishte goditur 20 vjet më parë, kur do të na mungonin teknologjitë e informacionit dhe komunikimit,  të nevojshme për të mbrojtur shumë sektorë ekonomikë duke promovuar distancën sociale?

Ndërsa 2020 po mbyllet dhe ne fillojmë dekadën e tretë të shekullit 21, është koha të vlerësojmë me qetësi sukseset dhe dështimet tona të fundit. Kur shohim përpara, ne duhet të shmangim edhe vetëkënaqësinë naive të vitit 2000,  edhe sensin paralizues të frikës që ka karakterizuar vitet e Trump, veçanërisht në Perëndim.

Në vitet në vijim, shumëpolarizmi gjeopolitik do të duhet të bëhet i pajtueshëm me paqen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar – garancitë më të mira të përparimit njerëzor.

Ne gjithashtu do të duhet të riparojmë çarjet në shoqëritë tona dixhitale dhe të arrijmë një ekuilibër të qëndrueshëm me natyrën. Këto janë sfida të vështira, por të menaxhueshme.

Na mbetet neve të përcaktojmë nëse 2020 do të mbahet mend si një moment mësimi në një shekull të trazuar apo si preludi i  ngjarjeve edhe më të këqija.

*Javier Solana, një ish-përfaqësues i lartë i BE për punët e jashtme dhe politikën e sigurisë, sekretar i përgjithshëm i NATO-s dhe ministër i jashtëm i Spanjës.