Kryeministri Boris Johnson ka paralajmëruar se Britania e Madhe mund të përballet me kufizime më të ashpra për të frenuar numrin e infektimeve. Shteti ishullor është aktualisht vendi që po njeh rritjen më të madhe të të infektuarve me Covid në Europë, kjo për shkak edhe të përhapjes së virusit të ri.

Në një intervistë për BBC, Johnson tha se ekziston mundësia që masat të shtrëngohen akoma më shumë.

“Padyshim që ka disa masa më të ashpra që duhet t’i marrim në konsideratë. Për momentin nuk do të spekuloj se cilat janë këto masa”, tha Kryeministri britanik.

Për shkak të shifrave të larta, qeveria u detyrua që të anulojë rihapjen e shkollave në Londër dhe përreth Londrës sikurse ishte planifikuar.

Britania e Madhe është kthyer në vatrën më të nxehtë të koronavirusit për momentin në mbarë globin. Në 24 orët e fundit, autoritetet britanike të shëndetësisë raportuan për mbi 57 mijë infektime. Një pjesë e rasteve të reja raportohet se janë të llojit të ri të koronavirusit.