Të martën, Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve pritet të përmbyllë fazën e parë të përzgjedhjes së emrave për deputetë dhe kryetarë bashkie.

Nga 3600 emra që kanë ardhur nga baza e Partisë Demokratike, ky komision do të hartojë një listë paraprake me 1000 emra. Anëtarët e Komisionit përzgjedhës kanë përjashtuar më shumë se 2/3 e propozimeve të strukturave të PD.

Filtrin e parë nuk e kanë kaluar një pjesë e mirë e kandidaturave për të cilat Komisioni ka vlerësuar se nuk përmbushin disa prej kritereve kyçe për t’u bërë pjesë e listës së kandidatëve që do të shkojnë në fazën e dytë.

Komisioni ka vlerësuar kandidatët me së paku 12 kritere, ku ndër kryesorët është kontributi në PD dhe ndikimi i kandidatëve në komunitet. Arsimi, gjinia dhe niveli profesional janë gjithashtu elemente që janë mbajtur parasysh në përjashtimin e kandidatëve nga anëtarët e Komisionit të vlerësimit.

Siç mësoi A2, PD synon të harmonizojë emrat e rinj me njerëzit që kanë vite që janë pjesë e strukturave demokrate, por kërkohet gjithashtu edhe përfaqësimi më i lartë i grave, që duhet të jetë jo më pak se 30% nga totali i kandidaturave.

1000 emrave të përzgjedhur që do të kalojnë në fazën tjetër, do t’u kërkohet plotësimi i formularit që njihet si veting i PD, ku secilido duhet të japë të dhëna të detajuara nga raportet me drejtësinë te përdorimi alkoolit apo nevoja për psikolog.

Kush do të kalojë vetingun do t’i dërgohet për votim bazës së PD, një proces që nis më 15 shtator për të dalë në një listë të shkurtuar prej 300 emrash që më pas Komisioni i Vlerësimit ia propozon Këshillit Kombëtar të PD për përzgjedhje përfundimtare, në fund të shtatorit.

Të gjithë atyre që nuk do të jenë pjesë e listës përfundimtare të kandidatëve për deputete dhe kryetarë bashkie, do t’u jepet një tjetër shans për të dhënë kontributin e tyre në jetën partiake. Ata do të jenë trupa e re e PD, të cilëve do u kërkohet të marrin angazhime dhe përgjegjësi të tjera në parti.