Policia dhe Prokuroria e Tiranës kanë dhënë detaje zyrtare lidhur me operacionin e koduar “Komunikimi” ku në pranga kanë rënë rreth 35 shtetas, mes tyre edhe pronari i Call Centerit, shtetasi izraelit, Rafael Genish.

Policia njoftoi se hetimet kanë qenë disa mujore dhe shkak për nisjen e tyre janë bërë denoncime nga autoritetet e huaja.

Dyshohet se këta persona, ishin bërë pjesë e skemës së mashtrimit dhe i zhvatnin paratë e mbi 2 mln personave në të gjithë botën. Sakaq, policia në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar laptopë, karta, usb dhe një dozë e vogël kanabis.

“Nga informacionet e marra, njësia C për hetimin e krimeve kompjuterike, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Komunikimi”. Njësia e krimeve kibernetike në bazë të informacioneve të marra ka nisur hetimet me Rrethin Gjyqësor Tiranë në fushën e mashtrimeve kompjuterike që kishte të bënte për mashtrimin e shtesave të huaj. Nga hetimet e kryera, prej disa viresh një subjekt ushtronte aktivitetin e tij jashtë Republikës së Shqipërisë. Hetimet bënë të mundur identifikimin e këtij subjekti dhe fushën e bashkëpunimit të personave që merreshin me këtë subjekt. Nga ndërhyrja e bërë, e mbështetur edhe nga struktura të tjera në drejtorinë kriminale, u realizua operacioni policor komunikimi.

Ku u kontrolluan disa ambiente. U arrestua në flagrancë 35 shtetas, mes tyre 1 shtetas i huaj, Rafael Genish. Ky person është organizatori i kësaj skeme mashtrimi. Janë proceduar në gjendje të lirë 20 të tjerë. janë sekuestruar 3 laptopë, 2 laptopë karta të bardha të ngjashme me të bankave dhe një sasi e vogël kanabis. Personat e kontaktuar nga kjo skemë janë mbi 2 mln dhe ndodhen në shtete të ndryshme të botës. Hetimet vazhdojnë”, tha Policia.

Nga ana tjetër, drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elizabeta Imeri tha se janë sekuestruar materiale që i vlejnë hetimit.

“Prokuroria në bashkëpunim me policinë në konkludim të hetimeve disa mujore, ka arritur të konkludojë duke zbuluar një skemë mashtrimi kompjuterik, ku shtetas të ndryshëm janë të dëmtuar, një numër i madh. janë sekuestruar prova materiale të cilat do t’i vlejnë hetimit”, tha Imeri.