Kryeministri Edi Rama, në një bashkëbisedim me studentët në Universitetin e Prishtinës, komentoi situatën në veri të Kosovës.

“Situata në veri është shumë e qartë në këndvështrimin tim. Unë mendoj që Kosova ka të drejtë. Çështja e targave është çështje e sovranitetit të çdo vendi dhe që është shqyrtuar në marrëveshje të mëparshme. Serbia pretendon se këtu po kërcënohen qytetarët serbë të Kosovës, ndërkohë që faktikisht është shumë e qartë që ata jo vetëm nuk kërcënohen, por janë pakica kombëtare nga më të përkëdhelurat, dhe me të drejtë mendoj unë. Kjo e bën Kosovën një nga shembujt më të shkëlqyer për trajtimin e pakicave kombëtare. Ata nuk kërcënohen, por janë pengje të një dialogu që ka mbetur rrugëve. Ato manovrat teatrale me helikopterë dhe avionë mund të sugjestionojë opinionin publik serb apo njerëz në botën shqiptare që shikojnë vetëm luftë nga Facebook-u. Por, Kosova e ka fituar luftën. Si mund të vijojë jeta duke jetuar ende me luftën, kur po bëhet fjalë për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme?”, tha Rama.

Kreu i qeverisë foli edhe për atë që mund të bëhet për të lehtësuar procedurat në kufirin Kosovë-Shqipëri.

“Me vullnet dhe angazhim kufiri që na ndan mund të lehtësohet në mënyrë të ndjeshme nga radhët e gjata dhe kontrollet e dyfishta. Mund të lehtësohet nga radhët kilometrike në sezonet turistike, ashtu sikundër patjetër që mund të kthehet në kufi formal, pa ndikim të madh në jetët e qytetarëve, duke u bërë pjesë e një sistemi të ri të lirive të lëvizjes, siç i ka edhe Bashkimi Evropian. Është e pakuptueshme për mua që Shqipëria dhe Kosova të mos e realizojnë këtë. Ka pasur gjithmonë deklarata “do të heqim kufirin”, por kjo nuk ka ndodhur jo se nuk kanë dashur ata që i kanë bërë këto deklarata, por sepse kur e thua këtë në shqip, alarmohet Brukseli dhe SHBA-ja”, deklaroi Rama.